Në tre ore negociata në një tryezë të përbashkët, ku qëndruan përballë njëri-tjetrit, kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha bashkuan duart, por jo qëndrimet përsa i përket reformës së rëndësishme në sistemin e drejtësisë.
Në përfundim të takimit, kryeministri Rama u shpreh i keqardhur për mungesën e kompromisit, duke theksuar se maxhoranca bëri gjithçka për të bindur PD-në për miratimin e draftit të shkruar me partnerët strategjik.
“Më vjen keq që nuk arritëm ta bindnim PD-në për të votuar së bashku draftin e shkruar me partnerët tanë strategjik për reformën në drejtësi. Por më vjen shumë mirë tu them sot të gjithë shqiptarëve që i bëra të gjitha përpjekjet e mundshme për t’ja dhënë kundërshtarëve tanë politik një mundësi reale kompromisin e çmuar”- deklaroi Rama.
Ai tha se ‘drafti që kishim në tryezën e diskutimit ishte ai i diskutuar në komision i shoqëruar me një plan disa pikësh që u ofruar nga ekspertët europianë dhe amerikanë për të lehtësuar afrimin mes palëve’.
“Ne e kishim pranuar 100% këtë plan ku përfshihej edhe shumica e cilësuar e 2/3 e kërkuar nga PD pas leximit të parë të raportit të komisionit të Venecias. Për habinë e shumëkujt por jo të timen PD e refuzoi këtë ofertë që e barazon shumicën me opozitën për përzgjedhjen me votë të kandidatëve të sistemit gjyqësor. Unë nuk u habita se e dija që PD nuk e do reformën në drejtësi. Edhe aleati ynë ka predikuar në infinit nevojën për konsensus. Nuk kemi dashur t’i lëmë shteg PD për asnjë lloj justifikimi. PD s’ka lënë gur pa luajtur, marifet pa përdorur, justifikim pa nxjerrë për ta zvarritur këtë reformë dhe për të ndryshuar thelbin e saj. Por sonte e mbrapa, PD nuk mund t’i tregojë dot as shqiptarëve, as Brukselit, as Uashingtonit asnjë arsye të vetme për të justifikuar mospranimin e reformës në drejtësi”, theksoi kryeministri.
Rama deklaroi se maxhoranca nuk do ta presë më PD-në dhe se do të vazhdojë të vetmen rrugë që ka, miratimin e reformës në drejtësi. Por sipas tij, PD ka kohë deri në seancë ta votojë.
“Mendoj se PD nuk e do reformën në drejtësi, çka sot besoj nuk ka njeri jashtë oborrit të PD ta mendojë ndryshe por sipas meje nuk do të thotë se PD nuk do ta votojë reformën në drejtësi. Ne nuk do ta presim më PD do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi. Deri ditën e votës në parlament ka plot orë dhe jo pak ditë që demokratët të mos e humbasin bashkë me këtë tren të historisë edhe krejt fytyrën e tyre”, vijoi kreu i qeverisë.
Por nëse PD do të ketë të tjera propozime, ato do të diskutohen në nivel ekspertësh, por pa cenuar përmbajtjen e reformës.
“Unë ju siguroj se nëse ata do të duan të flasin me ne, në nivele ekspertësh ne jemi gati. Jemi gati të dëgjojmë çdo propozim, kërkesë të tyre që nuk e cenon përmbajtjen e draftit të reformës dhe që nuk përbën një përpjekje për të mbajtur duart brenda sistemit të drejtësisë. Drafti në fjalë nuk është i përsosur dhe jo i shkruar në gur. Jemi të hapur për përmirësim deri në momentin e fundit, por nuk do lejojmë përkeqësim dhe nuk do presim asnjë sekondë. Pas këtij takimi reforma do të niset drejt e në sallën e parlamentit”, tha Rama.
Ai u ndal tek çështja e emërimit të prokurorëve dhe gjykatësve që sipas tij, do të kalojnë në sitë dhe procesi do të bëhet nën monitorimin e ndërkombëtarëve.
“Ne duam që çdo prokuror dhe gjyqtar të kalojë në një sitë për të përballuar detyrën dhe gjithë ky proces radiografimi personal të bëhet nën monitorim ndërkombëtar. Ky draft e garanton këtë. Ne duam që kjo ngrehinë e sistemit aktual të drejtësisë të shembet përtokë dhe të ngrihet e re. Kjo reformë e garanton këtë sepse krijon mekanizmat zhbllokues të sistemit në rast të bllokimit politik”, tha Rama.
BASHA: CDO AKT UNILATERAL NË PARLAMENT DO DËSHTOJË, REFORMA DO SHTYHET, KY ËSHTË QËLLIMI I MAXHORANCËS
Pas deklaratës së kryeministrit Rama, se tashmë drafti i reformës në drejtësi do të dërgohet në parlament, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se çdo akt unilateral i dërgimit në parlament të një pakete të padakordësuar me opozitën do të përballet me dështimin.
“Cdo dërgim do të takohet atje me dështimin e sigurtë dhe çdo dështim do të thotë shtyrje e reformës në drejtësi. Ky ka qenë qëllimi i maxhorancës prej fillimit. Kemi dyshime që qeverisja aktuale e zhytur në korrupsion dhe krim është e interesuar në krijimin e një drejtësie të pakontrolluar”, – tha Basha.
Lideri i PD-së theksoi se në diskutimet me përfaqësuesit e maxhorancës kishte konstatuar se pala tjetër kishte synim të krijonte alibi për t’ia hedhur fajin opozitës.
“Pas tre orëve e më shumë debate dhe diskutime kam keqardhje të konstatoj se pala tjetër erdhi me konkluzione dhe fjalim të përgatitur jo për të kërkuar zgjidhje, por për të krijuar alibitë se nuk mund të ketë reformë në drejtësi dhe mundësisht për ti vënë fajin kundërshatrit. Kjo është politike e vjetër, hedhja e fajit është pikënisja e politikave të shtremëbta dhe të gabuara tash 25 vjet. Nuk demonstruam asgjë tjetër përveç vullnetit të mriz në këtë tavolinë, jo për lojën por për rregullat e lojës. Rregullat e lojës nuk mund të jenë kurrë ato që nuk garantojnë moskapjen politike. Mazhoranca mban përgjegjësi për abortin e një kompromisi. Çdo akt unilateral i dërgimit në parlament të një pakete të paradakordësuar me opozitën do takohet me dështimin e sigurtë. Çdo dështim do të thotë shtyrje e reformës në drejtësi. Ky ka qenë qëllimi i maxhorancës prej fillimit.”- deklaroi Basha.
Kryetari i opozitës tha se PD ka patur vetëm një kusht, moskapjen e drejtësisë.
“Pas dy dështimesh në sytë e shqiptarëve, të Vencias dhe mbarë botës, ky do të ishte momenti që maxhoranca të merrte përgjegjësitë e saj. Ndërkohë që nga njëra anë maxhoranca dhe opozita u dakordësuan në parim, sepse opozita e hoqi mundësinë e kapjes politike”- vijoi Basha.
Sipas Bashës, PD ka hedhur në tryezë dy shqetësimet e veta, arkitekturën e sistemit dhe vendimmarrjen.
“Me siguri kryeministri ka shprehur këtu që është PD ajo që pengon reformën. Faktet tregojnë të kundërtën. Sot detajuam para kryeministrit propozimin tonë bazuar mbi rrugëzgjidhjen që vendet e rezervuara. Kryeministri nuk pati asnjë argument kundër kësaj, thjesht nuk i pëlqen. Kjo është kapriço dhe mungesë vullneti që t’i japësh vendit reformën në drejtësi së bashku me opozitën”, – u shpreh kreu i PD.
Basha tha se në takimin e sotëm ka prekur nga afër pagatishmërinë për të mos i dhënë vendit drejtësinë për të luftuar krimin. Ai theksoi se opozita nuk do të pranojë kurrë kapjen politike të drejtësisë. “Sot mund t’ju them se kam prekur nga afër këtë pagatishmëri për t’i dhënë Shqipërisë drejtësinë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
‘Ose drejtësi nën kontrollin politik ose ndryshe këtë që kemi se i rregullojmë vetë punët tona’, kështu e përkthej qëndrimin e maxhorancës sot. Nuk do të pranojmë kurrë më pak se sa moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi ynë”, deklaroi kreu i PD-së.
TAKIMI
Kryeministri Rama u shoqërua në takim nga Fatmir Xhafaj dhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Ndërsa kreu i opozitës nga Oerd Bylykbashi dhe Edi Paloka.
Ora 19:02 – Prej 2 orësh vijon në Pallatin e Kongreseve takimi Rama-Basha. Ende nuk ka asnjë informacion lidhur me ecurinë e negociatave. Në përfundim të takimit, pritet një deklaratë për media nga të gjithë aktorët që janë të pranishëm në tryezën e bisedimeve.
Ora 17:14- Nis takimi Rama-Basha për reformën në drejtësi. Edhe pse nuk është fokusuar nga kamerat, burime të ‘News24’ konfirmojnë se dy liderët Rama dhe Basha i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, përpara se të uleshin përballë njëri-tjetrit në tryezën e përbashkët.
Momentet e para të takimit duket se janë shoqëruar me buzëqeshje dhe shkelje syri nga ana e kryeministrit Rama.
Ora 17:08– Edhe kryedemokrati Lulzim Basha mbërriti në Pallatin e Kongreseve, aty ku pritet të nisë pas pak takimi i shumëpritur mes të dyve për reformën në drejtësi. Basha shoqërohej në takim nga nënkryetari Edi Paloka dhe nënkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi.
Ora 17:00- Kryeministri Edi Rama ka qenë i përpiktë, dhe ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve në orën 17:00. Shefi i qeverisë shoqërohej nga nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe kreu i komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Ora 16:00- Dy kabinetet, ai i kryeministrit dhe kryetari të opozitës janë kujdesur që të mos zbulojnë shumë detaje në ditët para takimit, megjithëse ka pasur edhe skepticizëm nëse takimi do të realizohej.
Stafet kanë punuar mbi çështjet që do të diskutohen, por dy ditë para takimit, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se mazhoranca lëshon në çështjen e votimit me 2/3, sa u përket gjyqtarëve, kusht ky i vendosur nga opozita, por nga ana tjetër mazhoranca vë kusht që të mos negociohet në lidhje me shtyllën e reformës në drejtësi, që ka të bëjë me shembjen e të gjithë sistemit të vjetër të drejtësisë, i cili konsiderohet i korruptuar.
Ditët e fundit ka pasur gjithashtu edhe mjaft negociata nga ambasadorët e huaj në Tiranë, veçanërisht nga ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin. Tashmë pritet se çfarë do të sjellë dita e sotme dhe cilat do të jenë qëndrimet e palëve.
Një ditë para takimit Rama-Basha, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Frederica Mogherini, deklaroi se Shqipërisë i duhet një reformë gjithëpërfshirëse dhe e thellë në sistemin gjyqësor. Reforma në drejtësinë shqiptare, tha ajo, është thelbësore për hapin e ardhshëm të vendit drejt integrimit në BE.
Shefja e diplomacisë europiane tha se reforma duhet të miratohet me 2/3 e votave, dhe se deputetët duhet të mbajnë përgjegjësi për votën e tyre.
Diskutime rreth kësaj post