Punimet e ujësjellësit të ri në Lazarat, kanë pak muaj që përfunduan dhe u shpenzuan 268 milionë lekë, por furnizmi 24 orë me ujë të pijshëm nuk u zgjidh.
Në këto ditë të nxehta vere uji nuk ju vjen çdo ditë, banorët i konsiderojnë punimet e ujësjellësit jo efikase.
“Marrin lekë dhe fshatin nuk e rregullojnë. Do të vijë uji 24 orë, ne s’na vjen as njëherë në 3-4 ditë. Ku e kanë ujin 24 orë? Tallen me Lazaratin, tallen!”.
“Të vijë uji njëherë në tre ditë, 1 orë? Gjithë ky fshat, u bënë gjithë ato shpenzime. Ku vajtën? Pjesa dërmuese e fshatit nuk ka ujë. Ja kanë 100 familje, po të tjerat? Të bësh një depo në krye të fshatit 200 metër kub, për një fshat me gati 4 mijë banorë dhe ujë jo. Uji është baza e jetës!”.
Lazarati vite më parë ka qenë i “blinduar” për shkak se aty kultivohej masivisht lënd narkotike.
Një prej banoreve mungesën e investimeve e lidh me të shkuarën e fshatit.
“Qeveria të marrë masa për fshatin Lazarat, se nuk kemi bërë ndonjë krim. Duhet të na ndihmojë. Fshatin e fundosi, ne mirë kemi bërë, kemi ndihmua do njeri. U morëm me atë, atë kohë se e lanë vetë!”.
Edhe tokat bujqësore i kanë lënë ndjerë, pasi kanalet vaditëse janë të bllokuara. “Nëpër kopshte kemi mbjelle, kam mbjellë qepë. Fusha s’ka kanale.Me farë t’i vadisim. Shteti s’ka hedhur asnjë qindarkë për fushën e Lazaratit”.
Vështirësi kanë dhe blegtorët, kullotat janë privatizuar dhe bagëtitë nuk kanë ku të ushqehen.
“I kanë zënë kullotat. S’kemi rroga t’ju blejmë ushqim, mistri është shtrenjtuar. I kanë shitur malet. Qeveria s’mori masë t’ju thonte pse i keni zënë kullotat, ku do hanë bagëtitë?”.
Në qendër të fshatit takojmë vetëm banorë të moshës së tretë.
Tregojnë se vuajnë mungesën e fëmijëve, që ju janë larguar jashtë shtetit se nuk kanë ku të punojnë.
“Kanë ikur fëmija, nga sëkëlldia se pa punë”.
“Janë pa të ardhme, çdo hanë këtu gjethe. Detyrimisht kanë ikur. Kemi ngelur vetëm ne pleqtë këtu e luajmë domino”.
Lazarati është një ndër fshatrat më të mëdhenj në Gjirokastër me mbi 3500 banorë./Abc
Diskutime rreth kësaj post