Në procesin ndaj Emiljano Shullazit kontrollohen rreptësisht të gjithë përpara se të hyjnë në sallë, që nga avokatët e dëshmitarët deri tek gazetarët.
Por megjithëse ky është një rregull që zbatohet për çdokënd që kalon pragun e Krimeve të Rënda, për disa procese vëmendja e policisë është më e madhe.
I përmendur një ditë më parë nga ambasadori amerikan, Emiljano Shullazi vazhdoi i qetë pyetjet ndaj dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ismail Dervishi është një nga dëshmitarët që u pyet nga Shullazi ‘a më njeh ti mua? A më ke parë ndonjëherë?’, ndërsa mori përgjigjen ‘nuk të njoh, nuk të kam parë asnjëherë’. Por më herët dëshmitari ka dhënë një version krejt ndryshe përpara grupit të hetimit.
Sipas tij, gjatë kohës që ishte i punësuar si magazinier në një firmë, katër persona kanë hyrë në objekt dhe njëri prej tyre pasi është prezantuar si Emiljano Shullazi ka marrë telefonin e zyrës dhe i ka kërkuar takim pronarit. Por dëshmitari në seancë e mohoi këtë version duke shtuar se kërcënuesi nuk ishte Shullazi.
Nga ana e tij, biznesmeni Adriatik Kërcuku kujtoi se pasi dikush i ishte prezantuar në telefon, ‘Shullazi jam, të pres të më takosh’, një muaj më pas sipas tij “thjesht” kishte ndodhur një shpërthim në makinë.
Por as biznesmeni nuk e kishte takuar kurrë dhe as e kishte parë ndonjëherë Shullazin, i cili pyeti edhe dëshmitarin e tretë Durim Dervishaj ‘a më njeh ti mua?’ dhe përgjigjja ishte ‘jo’. I pandehuri Shullazi kërkoi që gjykata të përshpejtojë gjykimin dhe të zhvillojë dy seanca në javë, kërkesë e cila u refuzua.
Të martën që vjen janë thirrur për të dëshmuar për episodin e kërcënimit të rektorit Mynyr Koni ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, drejtori i përgjithshëm i policisë Haki Çako, si dhe figurat e njohura të arsimit shqiptar si dekani Dhori Kule, Klodeta Dibra, Shezai Rrokaj dhe Majlinda Keta.
Diskutime rreth kësaj post