Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj ishte të enjten në qarkun e Vlorës, ku dhe ndoqi nga afër punën e kompanive kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve, pas rreshjeve të shumta që kanë përfshirë vendin tonë gjatë tre ditëve të fundit, ku situata më e rëndë u paraqit në jug, gjatë ditës së sotme.
Fillimisht Dervishaj u ndal te Ura e Bratit, që u shemb pak ditë më parë për shkak të rreshjeve. Ministri tha se janë marrë të gjitha masat, që të mos ketë problem në qarkullim. Dervishaj siguroi banorët e zonës se do të meren masat e nevojshme dhe do të ndërtohet një urë e re, që do të lidhi banorët e fshatit Brataj me fshatrat Kuç, Bolenë e Tërbaç. Ministri apeloi ndaj drejtuesve të mjeteve që përdorin këtë segment, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë sinjalistikën.
Ndalesën e radhës Ministri Dervishaj e zhvilloi në Selenicë, ku pati bllokim të aksit kryesor si pasojë e rreshjeve të dendura. Ministri informoi se situate po shkon drejt normalitetit, pas ndërhyrjeve të kryera dhe qarkullimi i automjeteve ka rifilluar.
Kreu i transporteve, Dervishaj nënvizoi se shumë shpejt do të fillojë edhe faza e evidentimit dhe e ndërhyrjes për ti dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të bllokimit të aksit rrugor. Por, vijoi ai, ajo që mbetet e rëndësishme është marrja e masave paraprake për t’i përballuar sa më me efiçencë situatat emergjente.
Ministri falenderoi edhe punonjësit e mirëmbajtjes që janë angazhuar këto ditë në terren, duke bërë të mundur që akset kombëtare të jenë të kalueshme.
Dervishaj u njoh edhe me situatën e krijuar dhe masat e marra në Novoselë, zone që gjithashtu rregjistroi problem si pasojë e rreshjeve të dendura. Ministri tha se janë marrë masat për të mos patur asnjë bllokim të aksit rrugor, ndërsa institucionet janë në gadishmëri maksimale.
Diskutime rreth kësaj post