Deputeti i opozitës parlamentare, Kostaq Papa ka depozituar në Kuvend një projektligj, i cili sipas tij, i heq mundësinë Greqisë për të zgjeruar kufirin detar në Jon. Drafti propozon që hapësira shqiptare e Jonit të shpallet Det Historik.
Pas debateve të fundit të shuara tashmë, lidhur me 12 milje detare në kufirin shqiptaro-grek, në Kuvend ka mbërritur një projektligj, i synon të shpallë Historik, detin Jon. I propozuar nga deputeti Kostaq Papa, drafti synon të mbyllë spekulimet në lidhje me problemet që janë shfaqur nga kërkesa e shtetit fqinj për zgjerimin e ujërave detare.
Po ashtu, projektligji synon të mbyllë mundësinë për korrupsion me ujërat detare e detin territorial shqiptar nga nëpunës të shtetit shqiptar gjatë tratativave për marrëveshje me vendet fqinje. Argumenti kryesor i këtij drafti, është pikërisht, mbyllja përfundimtare e mundësisë së matjeve te gabuara e me shumë përthyerje në detin e Gjirit të Sarandës dhe çon vijën e ujërave tona në koordinatat e duhura e të përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare kur u vendosën kufijtë shtetërorë të Shqipërisë.
Sa i përket, ndikimit ekonomik, miratimi i projektligjit nuk pasohet me efekte financiare shtesë, por do të sjellë të ardhura nga shfrytëzimi turistik i kësaj hapësire detare e historike.
Kujtojmë se 2 muaj më parë, Greqia shpalli ambicien për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon, duke rihapur edhe njëherë debatin për marrëveshjen e vitit 2009, e cila disa vite më parë u anulua nga Gjykata Kushtetuese. Në fotot e mëposhtme do gjeni projektligjin e depozituar në Kuvend nga deputeti i opozitës.
Diskutime rreth kësaj post