Deputeti opozitar Adriatik Alimadhi shprehet i bindur se Shqipëria nuk ka një politikë të mbështetur në ligje, por tërësisht personale.
I ftuar në emisionin ‘Breaking’, teksa po komentonte kërkesën e maxhorancës për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e presidentit, Alimadhi u shpreh se “është një përplasje personale mes Metës dhe Ramës”.
“Nëse do ta ndajmë ne planin kushtetues, ligjor e politik, është një retorike personale, jo shkelje të presidentit. Kam patur fatin të jem në komisionin e parë për shkarkimin e presidentit, ku i kam bërë disa pyetje. Unë mendoj se gjithçka ka ardhur nga presioni për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Kemi një situatë e cila vjen për shkak të personalizimit të politikës midis Ilir Metës dhe Edi Ramës. Janë në luftë me njëri-tjetrin dhe sjellin problem për institucionet e tjera”, – tha deputeti.
Sipas tij, politika e sotme është “politikë tallava e pa mbështetur në programe, por vetëm personale”.
I pyetur nëse Meta nuk e dekreton kryeministrin Rama në shtator, Alimadhi tha se “e gjithë kjo situatë tani është një presion për të negociuar me Metën”.
Ndërsa në lidhje me shkarkimin e Metës nga detyra e presidentit, deputeti shtoi: “Duke parë argumentet dhe faktet e Komisionit të Venecias për komisionin e parë hetimor, mendoj se pavarësisht se çfarë vendimi merr Parlamenti, ku votat janë, mendoj se nga momenti që do kalohet në Kuvend, Gjykata Kushtetuese nuk i ka argumentet juridike për shkarkimin e tij”.
Sipas deputetit, kjo opozitë nuk ka funksionuar mirë dhe se mendonte se do të ishte më e konsoliduar.
“Ka deputetë që janë kthyer tërësisht në favor të madh të pozitës, nuk mendoj se janë problem 94 vota. Por kam një mesazh për deputetët që të bëhen të kujdesshëm, nuk i bëjnë mirë ecurisë politike e nuk duhet të bëhen palë”, – tha Alimadhi.
Diskutime rreth kësaj post