Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me anë të një postimi në Facebook ka bërë me dije se sipas tij njerëzit në Shqipëri po vidhen me naftën në mënyrë të shumëfishtë, ndërsa listoi se vjedhja kryhet përmes cilësisë, sasisë, çmimit dhe koncesioneve.
Ai shtoi se “prej 9 vitesh markimi dhe gjurmimi i naftës që hidhet në treg bëhet nga kompania koncesionare “GFI Albania”, ndërsa ky koncesion i ka kushtuar shqiptarëve deri më tani 30 milionë euro”.
Sipas tij “këto para i janë marrë shqiptarëve duke ua faturuar në çdo litër naftë me justifikimin e bllokimit të evazionit fiskal, bllokimit të naftës kontrabandë”.
Postimi i plotë:
“Vjedhja e shumëfishtë e shqiptarëve me NAFTËN.
Ministrja e Financave më kundërshtoi madje më akuzoi edhe se nuk di të lexoj shifrat kur denoncova kontrabandën e naftës në Shqipëri. E vërteta është se me naftën, ne në Shqipëri vidhemi në mënyrë të shumëfishtë.
Vidhemi me cilësinë
Vidhemi me sasinë
Vidhemi me çmimin
Vidhemi me konçesionet.
Ministrja e Financave, paralajmëroi ngritjen e një sistemi të ri gjurmimi për karburantet, pasi sistemi aktual nuk ka funksionuar. Prej 9 vitesh markimi dhe gjurmimi i naftës që hidhet në treg bëhet nga kompania koncesionare “GFI Albania”. Ky konçesion i ka kushtuar shqiptarëve deri më tani 30 milionë euro. Shifra bazohet në të ardhurat nga tarifat të koncesionarit për periudhën 2013-2021, sipas bilancit zyrtar. Këto para i janë marrë shqiptarëve duke ua faturuar në çdo litër naftë me justifikimin e bllokimit të evazionit fiskal, bllokimit të naftës kontrabandë.
Faktikisht ajo që ka ndodhur është zhvatja e 30 milionë eurove nga xhepat e qytetarëve me koncensionin, nafta kontrabandë ka vërshuar lum në Shqipëri. Nga 2011 në 2021 automjetet që qarkullojnë në rrugë u dyfishuan, sasia e naftës së importuar për konsum u ul.
Në vitin 2011:- 410.629 Automjete të regjistruara në Shqipëri, ndërkohë sasia e karburantit të importuar për konsum ka qenë 570 milionë e 441 mijë e 945 litra. Pra mbi 570 mijë ton karburant të importuar.
Ndërkohë në vitin 2021 rezultojnë 740.669 automjete të regjistruara, ndërkohë sasia e karburantit të importuar është 536 milionë e 25 mijë e 971 litra ose e thënë ndryshe 536 mijë ton karburant.
Ndërkohë edhe çmimi me të cilën e marrim një litër naftë është nga më të shtrenjtat në Evropë.
30 milionë euro të vjedhura nga xhepat e qytetarëve naftë kontrabandë pafund, ndërsa ministrja mjaftohet duke thënë vetëm do ndryshojmë sistemin e monitorimit.
Po përgjegjësi para ligjit për gjithë këto vjedhje që u bëhen qytetarëve kush do të mbajë?!”, ka shkruar ai.
Diskutime rreth kësaj post