Deputetët e Partisë Demokratike janë paraqitur të hënën në komisionin parlamentar të Ligjeve duke thyer kështu bojkotin disajavor që opozita i ka bërë veprimtarisë së Kuvendit. Dy nismat ligjore të propozuara nga grupi parlamentar demokrat, ndryshimet në ligjin ‘për funksionimin e komisioneve hetimore’ dhe ato në ligjin ‘për dekriminalizimin’, që po diskutohen sot në komision, janë dhe dy nga tre kushtet e vendosura nga opozita për rikthimin e saj në parlament.
Ndryshimet në ligjin ‘për dekriminalizimin’ lidhen me rastet kur deputetët, të cilët arrestohen në flagrancë për vrasje apo tentativë vrasje, të pezullohen nga aktiviteti i parlamentit, deri në dhënien e një vendimi nga gjykata. Nisma ligjore u nxit nga rikthimi në Kuvend në muajin shkurt, i deputetit socialist Armando Prenga, i përfshirë në një konflikt të armatosur ne shtator te vitit te kaluar.
Ndërsa kushti i dytë i PD-së është ai për ndryshimin e ligjit ‘për funksionimin e komisioneve hetimore’, qe synon heqjen e mundësisë së bllokimit të punës së komisioneve nga mazhoranca.
Kushti tjetër i vendosur nga opozita e djathte lidhet me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet e shqyrtimit te vlefshmërisë së mandateve të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, qe akuzohen nga PD se kanë përfituar fonde publike, duke shfrytëzuar postin e tyre si deputetë të Kuvendit.
Diskutime rreth kësaj post