Nga Blendi Fevziu –
Vangjel Dule, kryetar i një partie të hershme parlamentare dhe deputet prej shumë kohësh në Kuvendin e Shqipërisë, ka bërë dje një deklaratë që ka qenë më shumë se sa befasuese. Dule ka sqaruar se në një takim me të huaj, një përfaqësues i diplomacisë europiane në Tiranë e ka mbështetur presionin për të marrë pjesë në zgjedhje edhe me një analizë të çuditshme. Ai i ka thënë Dules së nëse ata regjistrohen dhe marrin pjesë në zgjedhje në mungesë të PD, atëherë mund të kenë shans të kenë më shumë mandate që do t’i fitonin në kurriz të forcës kryesore të opozitës. Kështu shifrat e këtyre partive do rriteshin artificialisht dhe vendi, sipas këtij diplomati do kishte një opozitë po kaq artificiale. Vangjel Dule sqaroi se kjo ofertë nuk është bërë as në një takim kokë më kokë dhe as në një takim të rezervuar, por një një takim në grup, ku disa diplomatë po takoheshin me së paku 5 parti opozitare. Të gjitha partitë është shprehur Dule, reaguan në bllok duke e hedhur poshtë “ofertën” e çuditshme të diplomatit.
Deklarata e Dulës është jo vetëm befasuese, por edhe e papranueshme për çdo vend normal në botë. Ajo tregon mënyrën se si po tenton ta trajtojë krizën trupi diplomatik, i cili ose nuk ka kuptuar asgjë se çfarë po ndodh; ose po tenton të mbyllë një krizë momenti duke hapur një krizë tjetër më afatgjatë dhe më dërrmuese; ose është renditur si palë në këtë krizë, duke shkelur të gjitha parametrat që një përfaqësues i trupit diplomatik duhet të ruajë në vendin ku është i akredituar.
Dule nuk bëri publik as emrin dhe as vendin që ky diplomat përfaqëson. As rangun e tij. Por Shefi i Diplomacisë shqiptare dhe Presidenti i Republikës duhet të angazhohen për ta trajtuar rastin me shumë seriozitet. Trupi diplomatik në Tiranë dhe Komuniteti ndërkombëtar kanë shumë të drejtë të jenë të shqetësuar me krizën në Shqipëri. Ata janë në të drejtën e tyre legjitime t’i kërkojnë PD dhe aleatëve të saj të kthehen në Parlament apo të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë respektimin e kushtetutës dhe zbatimin e gjithë detyrimeve që rrjedhin prej saj. Ata janë në të drejtën e tyre t’i kërkojnë mazhorancës bisedime dhe gjithë përpjekjet që PD të ndihet e garantuar në zgjedhje. Janë po në të drejtën e tyre të kërkojnë edhe një lloj marrëveshje brenda mazhorancës. Ata mund dhe duhet ta bëjnë këtë përmes deklaratave dhe qëndrimeve publike. Madje mund ta bëjnë pa asnjë kompromis.
Por asnjë ndërkombëtari, asnjë individi apo institucioni, nuk i lejohet të ndërtojë skenarë destruktive apo lojëra kulisash për të arritur një zgjidhje false dhe të paqëndrueshme. Ndërkombëtarët edhe mund të negociojnë, siç kanë bërë shumë herë në këtë vend, por gjithnjë nga pozita të barazlarguara me palët dhe duke pasur vetëm një bibël, ligjin dhe demokracinë. Tentativa për t’u bërë palë dhe për të provokuar palën tjetër; për të bërë shantazh apo për të ndërtuar skenarë të tillë vetëm sa e rëndon situatën dhe humb kredibilitetin e vetë ndërkombëtarëve. Që në këtë moment është shumë i rëndësishëm.
Për këtë arsye, Presidenti dhe Ministri i Jashtëm duhet të marrin kontakte me diplomatin në fjalë dhe t’i kërkojnë atij shpjegime. Ai duhet të distancohet nga deklarata e tij, në të kundërt, gjithsecili nga ne ka të drejtën të besojë se ai punon kundër këtij vendi dhe kërkon ta fusë atë në një spirale problematike. Opinion.al
Diskutime rreth kësaj post