Gjykata ka konstatuar se ai ka vrarë shokun e vet të punës dhe procesi gjyqësor kundër tij është përsëritur, me ç`rast sërish ai është shpallur fajtor por dënimi i është reduktuar.
“Unë nuk jam ai që e ka bërë vrasjen”, është përpjekur të sqarojë kosovari 28 vjeçar nga Sisseln-i duke belbëzuar para Gjykatës së Apelit në Bazel, shkruan aargauerzeitung.ch. Ndërsa prindërit e të vrarit presin më kot që ai të kërkojë falje. Por mbrojtësi i kosovarit ka thënë se me gjithë vullnetin e tij ai nuk mund të kërkojë falje ose të pranojë veprën kur nuk është kryes i veprës”.
Nga ana tjetër, gjykata tashmë është e sigurt se personi i përmendur, në shkurt të vitit 2012 e ka goditur duke e lënë pa vetëdije dhe e ka therur kolegun e tij të punës, 11 vjet më të vjetër, në banesën e këtij të fundit në Riehen.
Në shkallën e parë kosovari ishte dënuar për vrasje të rëndë me 19 vjet burg, transmeton albinfo.ch. Por gjykata e apelit ia ka zbritur dënimin në 17 vjet pasi që sipas saj në krahasim me rastet e ngjashme ky dënim ka qenë tepër i lartë.
Tërësia e të gjitha indikacioneve jep një pasqyrë të qartë se në mes të dy personave ka ndodhur një konflikt dhe se i dënuari ka qenë dorasi, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Hoenen.
Ish partnerja e të vrarit pasi që ai nuk ishte paraqitur në punë kishte shkruar në banesën e tij ku e ka gjetur të vdekur. Ndërsa dorasi tashmë i dënuar pastaj kishte përhapur fjalë në vendin e punës se i vrari ishte kërcënuar dhe e kishte sjellë himin për vrasje te ish partnerja. Ajo madje është mbajtur për një kohë në burgun e hetimeve. Por, më vonë u bë e qartë se 28 vjeçari, nga telefoni i të vrarit kishte shkruar mesazhe duke ngritur një alibi për veten.
Nga ana tjetër nuk është gjetur kurrë thika dhe asnjë armë tjetër ndërsa pjesë të përgjakura të rrobave ai i kishte hedhur në kontejner të mbeturinave në një vendpushimi të rrugës automobilistike në Tenniken. Ai ndërkaq kishte “pranuar” se të vrarin e kishte gjetur në vendin e krimit dhe se e ka “pastruar” vendin. Mirëpo vrasjen vazhdon ta mohojë edhe sot e gjithë ditën.
Në fillim të hetimeve ai kishte thënë se frikësohej se dyshimi për vrasjen mund të binte mbi të, përcjell albinfo.ch. Por, trupi gjykues pretendon se ai në përgjithësi pranon vetëm ato që arrihen t`i dëshmohen, ndonëse edhe në ato raste ai kërkon të gjejë një sqarim”.
Megjithatë, motivi i vrasjes mbetet i paqartë. I dënuari vuan nga pengesa në të folur për çfarë të gjithë e ngacmonin në vendin e punës ndërsa kolegu i tij tashmë i ndjerë ishte i vetmi që e mbronte. Mbetet e paqartë se çfarë roli luan këtu një koleksion i pornografisë me fëmijë i gjetur në laptopin e viktimës. I dënuari kishte provuar gjoja ta fshihte laptopin pas vrasjes, transmeton albinfo.ch. Por gjykata nuk ka dashur të spekulojë rreth kësaj. “Duhet të pranojmë sinqerisht se ne nuk kemi mundur të zbulojmë motivin”, ka thënë Hoenen, transmeton albinfo.ch
Diskutime rreth kësaj post