Kryeministri serb, Alkesandar Vuçiç, ka thënë se procesi gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviçit nuk ka përfunduar pasi që do të bëhen përpjekje ende.
Sipas tij, vendimi për dënimin me 9 vjet burg ndaj Ivanoviçit, ngjason në një proces politik më shumë se sa në drejtësi, transmeton KosovaPress.
Ai premtoi se Qeveria e Serbisë do të bëj çdo gjë që të ndihmojë Ivanoviçin dhe familjen e tij. Sipas tij, dikush u u mundua ta shpërblej palën shqiptare përmes këtij vendimi.
“Është e qartë se dikush u mundua të bëj koncesione më palën shqiptare, se ata duhet të marrin një lloj shpërblimi. Arsyeja për këtë shpërblim për mua mbetet e paqartë, pasi asnjë marrëveshje e 25 gushtit të vitit të kaluar nuk është përmbushur nga ata. Por, është një mësim se ne duhet të përpiqemi edhe më shumë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, pyetjeve se si do të ndikojë dënimi i Ivanoviçit në dialogun Prishtinë-Beograd, Vuçiç nuk iu përgjigj, duke thënë se dialogu do të zgjidh çdo situatë.
Reagime të ashpra nga Serbia për dënimin e Ivanoviçit
Pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës ku lideri i serbëve të veriut Oliver Ivanoviç është shpallur fajtor për krime lufte, kanë reaguar zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.
Ivica Daçiç ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë ka thënë se dënimi i Ivanoviçit është edhe një dëshmi se politika përzihet në drejtësi.
Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç ka thënë se ky vendim vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Serbisë në dialogun me Kosovën.
Ministri i Drejtësisë Nikolla Selakoviç ka thënë se ky vendim është proces i montuar politik. Ndërsa partia që ka udhëhequr Ivanoviç, Iniciativa Qytetare Serbe ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të ndërmarr të gjitha masat në mënyrë që mbështesin mbrojtjen e Ivanoviçit për ta hedhur poshtë këtë vendim.
Analistë serbë mendojnë se Ivanoviçi është viktimë e Gjykatës Speciale që së shpejti do të themelohet në Holandë që do të gjykojë ish udhëheqësit e UÇK-së.
Zhivojin Rakoçeviq ka thënë se prej fillimit ky ka qenë proces politik që drejtësia ndërkombëtare ka dashur të bëjë balanzim mes komandantëve të UCK-së dhe liderëve serbë.
Ndërsa kryetarja e Partisë Demokratike Serbe Sandra Rashkoviq Iviq ka thënë se dënimi i Ivanoviqit është vazhdim i agresionit të NATO-s në Serbi.
Ivanoviç dënohet për krime lufte, dërgohet në shtëpi
Lideri i Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviç është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte, por ai deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit do të qëndrojë në shtëpi e jo në paraburgim.
Kështu ka vendosur kryetarja e Trupit Gjykues të Gjykatës Themelore në Mitrovicë Roxana Comsa. Kjo gjyqtare dhe kolegët e saj kanë vendosur që Ivanoviç të shpallet fajtor për krime lufte.
Pas shpalljes së vendimit për Ivanoviçin, prokurori Romulo Mateus ka kërkuar që ai të dërgohet në paraburgim e jo në arrest shtëpiak siç ishte deri më tani. Por gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorit duke vendosur që Ivanoviç të qëndrojë në arrest shtëpiak derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm.
Lidhur me kërkesën e e prokurorit ka reaguar avokati i Ivanoviçit, Nebojsha Vllajiq, i cili tha se Ivanoviq duhet të mbahet në arrest shtëpiak dhe jo në paraburgim. Sipas t ij paraqitja e tij në gjykatë është dëshmi që ai do t’i përgjigjet drejtësisë, ndaj edhe duhet të mbesë në arrest shtëpiak.
Krasniqi: Drejtësi selektive, Ivanoviç në shtëpi, komandantët e UÇK-së në burg
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, ka reaguar ndaj procesit gjyqësor dhe vendimit për dënimin e liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviç.
Sipas tij, në këtë rast ligji është zbatuar në mënyrë selektive, pasi Gjykata la në arrest shtëpiak Ivanoviçin deri në fuqizimin e vendimit, ndërsa komandatët e UÇK-së rrinë në burg.
“Pse heshtin qeveritarë tanë? Kur ligji zbatohet në mënyrë selektive ndodh edhe kjo. Për të njëjtën masë të shqiptuar nga gjykata gjithnjë duhet të zbatohen standarde të njëjta. Ligji parasheh që për dënimet mbi 5 vite, i dënuari, vendimin e shkallës së dytë e pret në paraburgim. Sot Oliver Ivanoviçi u dënua me nëntë vjet burg. Gjykata e la në arrest shtëpie e jo në burg sipas ligjit”, shkruan ai.
“Pse, për të njëjtën masë gjyqësore kemi standarde të dyfishta në zbatim të ligjit. Komandantët e UCK-së janë në burg, Ivanoviçi në shtëpi edhe pse është dënuar me nëntë vite burg. Sot vendimi i Gjykaës Themelore të Mitrovicës lë për të dyshuar se drejtësia është ndarë në bazë të marrëveshjes politike dhe jo sipas ligjit. Deri kur kështu”, përfundon ai.
KosovaPress
Diskutime rreth kësaj post