Demokrati Lisandër Hoxha u shpreh mbrëmjen e djeshme për emisionin ‘Quo Vadis’ se nuk e sheh më ish-kryeministrin Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike.
Duke komentuar një deklaratë të disa ditëve më parë të Berishës, që la të hapur mundësitë për të rimarrë drejtimin e partisë, Hoxha tha se e ardhmja e PD-së janë të rinjtë, dhe jo ish-lideri.
“Është një lëvizje politike e zotit Berisha e diktuar nga kushtet e reja, pas vendimit të DASH, që e ka kthyer në një jetë më aktive politike. Mendoj se duhet të presim shtatorin. Sali Berisha është historia e suksesit të PD, është njeriu që na ka frymëzuar shumicën e anëtarëve për të qenë pjesë e PD. Por nuk mendoj se është e ardhmja e PD. E ardhmja e PD janë të rinjtë dhe të rejat.”, – tha Hoxha.
Ai komentoi edhe vendimin e DASH për ta shpallur “non grata” ish-kryeministrin. Lisandër Hoxha tha se duhet të ketë transparencë për këtë vendim.
“Jam habitur që pas tetë vitesh jo aktiv, shpallet non grata Berisha. Ndërkohë që Gjukanoviç, nuk është shpallur non grata, Viktor Orban, nuk është shpallur non grata. Ka diçka që nuk shkon. Berisha ka zgjedhur të përballet me të dhe unë gjykoj që ka bërë mirë. Shpallja non grata e tij zbeh atë kohën e lavdishme me të cilën ne krenoheshim. Çdo demokrat ndihet i lënduar dhe kërkon transparencë dhe shpreson që ky vendim të jetë i nxitur nga grupimet e majta që lobojnë sot në Departamentin Amerikan të Shtetit.” – tha ai.
Lidhur me pyetjen nëse ai duhet të përjashtohet nga strukturat e partisë pas vendimit të DASH, Hoxha u shpreh se në sistemet demokratike, këto vendime merren vetëm nëse ka prova.
Diskutime rreth kësaj post