Themeluesja e Partisë Konservatore, Evi Kokalari tha në një intervistë për Euronews Albania se i lindi nevoja për të krijuar këtë forcë politike pasi humbi besimin te Sali Berisha, duke qenë se sipas saj priste që përmes tij të vinte ndryshimi, në një formë apo tjetër. Ajo theksoi se nuk u dorëzua sepse në PD nuk ka qenë kurrë zyrtarisht, por vetëm pjesë e Komisionit të Rithemelimit.
Kokalari shtoi se është e vetëdijshme që zgjedhja e 140 kandidatëve të zotë për të sjellë një frymë të re politike në Shqipëri nuk do të jetë e lehtë, por pretendon se vetëm në këtë formë do të mund të bëhet ndryshimi në vendin tonë.
“Nuk dua të fokusohem në takime pafund për të ngritur bazën, por mendoj që mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të gjejmë 140 kandidatë shumë të zotë dhe po mendoj që të jetë një kombinim i intelektualëve shqiptarë nga diaspora dhe Shqipëria dhe po mendoj që gjysma të jenë moshat e rinisë. Po të bëjmë një kombinim të këtyre të dyjave dhe kemi njerëz komplet të rinj që nuk kanë qenë përpara në politikë, që kanë integritetin e duhur…përzgjedhja fillimisht do të jetë në bazë të kontaktit që unë do të kem me ta. Dua të ulem, t’i njoh, t’i shoh rezymenë dhe më vonë, po arrita të gjej dy kandidatë për një zonë të caktuar atëherë mund të kemi primare vitin tjetër dhe të kemi një mënyrë tjetër zgjedhjeje se kush është më i miri,” – u shpreh Kokalari.
Diskutime rreth kësaj post