Instituti i Ndërtimit ka dalë në përfundim se nga ekspertiza e bërë në pallatin që u dogj pak javë më parë në zonën e ish-parkut në Tiranë, zjarri ka shkaktuar dëme jo vetëm në fasada, por edhe në kolona, çka e bën të pabanueshëm.
Në këtë mënyrë, sipas ekspertëve, pallati është i pabanueshëm dhe i rrezikshëm për jetën e banorëve dhe duhet t’i nënshtrohet restaurimit.
“Struktura e objektit në gjendjen ekzistuese, pas ekspozimit ndaj zjarrit, nuk i plotëson kushtet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë për ngarkesat maksimale statike apo dinamike të parashikuara. Dëmtimet janë lokale, por mund të influencojnë të gjithë ndërtesën në saje te fenomenit “domino”.
Struktura duhet t’i nënshtrohet restaurimit dhe përforcimit të elementeve strukturore trarë, soleta apo edhe kolona, vetëm në zonën e dëmtuar duke u bazuar ne një projekt përforcimi strukturor mjaft të detajuar për objektin përkatës, mbështetur në dëmtimet e zjarrit te Date 14.09.2023. Deri ne momentin e restaurimit ndërtesa konsiderohet me rrezikshmëri për jetën e njerëzve dhe e pa përdorshme”, thuhet në ekspertizë.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi pasditen e 14 shtatorit, ndërsa policia referoi në prokurori dosjen penale për zjarrin që shkrumboi 4 apartamente, dëmtoi 12 të tjerë dhe shkrumboi fasadën e pallatit.
Diskutime rreth kësaj post