Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar këtë të martë se në kuadër të kontrollit të formularëve të vetëdeklarimit të zyrtarëve ka konstatuar fshehje të të dhënave nga deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, si dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.
“Prokuroria ka siguruar të dhënat si vijon: deputeti Tahiri nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se në vitin 1995 është proceduar nga policia në Foxhia për “falsifikim parash” dhe në 2009 është proceduar në Ravena për “drejtim mjeti me dokumente të falsifikuara”. Për paratë false ai ka thënë se është mashtruar nga kamarieri”, ka sqaruar zëdhënësja e organit të akuzës në një deklaratë për mediat.
Ndërsa deputeti Selami, sipas saj, nuk ka treguar masën e arrestit me burg nga gjykata italiane në vitin 1994 për “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. “Ai ka qëndruar 1 javë në burgim pastaj është lënë i lirë”, ka thënë zëdhënësja.
Ndërsa kryebashkiaku Elvis Roshi nuk ka deklaruar veprën penale të “përdhunimit në grup” në Itali dhe as emrat e ndryshëm të përdorur në Zvicër.
“Në 14 maj të vitit 1993, Roshi është ndaluar nga policia e Zyrihut për drogë dhe është dënuar. Në vitin 1997 ka hyrë me emër tjetër në Zvicër dhe ka kërkuar azil, por pak muaj më vonë është dëbuar. Pak vite më vonë, DEA lajmëroi policinë zvicerane për një rast droge kur ishte i përfshirë Roshi”, ka vijuar zëdhënësja.
Ajo ka shtuar se, prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale të falsifiikimit të formularëve, ndërsa po vijon zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për një numër të caktuar zyrtarësh.
Diskutime rreth kësaj post