Nga Mero Baze
Ajo që po ndodh me betejën e Partisë Demokratike për të mbrojtur një deputet të saj, të prekur nga ligji i dekriminalizimit, është në të vërtetë radiografia më e mirë se ku është katandisur PD sot, dhe sa larg ka ikur prej identitetit të saj. Deputeti i saj Dashamir Tahiri, i cili gjendet përballë akuzave për pastrim parash dhe dokumentash të fallsifikuara në Itali, për të cilat ka marrë dhe dënime në Itali, rrezikon të humbasë mandatin.
Debati në të cilin është përfshirë PD sot, nga një krah është ligji i dekriminalizimit që duhet zbatuar, nga ana tjetër është justifikimi se këto veprat penale të deputetit Tahiri janë të lehta.
E vërteta është se ligji i dekriminalizimit është i ashpër dhe në disa aspekte antikushtetues, por është një ligj i bërë sipas kërkesave të Partisë Demokratike. Socialistët nuk bënë atë gjestin e pabesë që bëri PD ndaj reformës në drejtësi, për ta çuar ligjin në Kushtetuese pas miratimit.
Por në historinë e qendrimit të Partisë Demokratike ndaj Dashamir Tahirit, unë jam më shumë i tronditur nga fakti që PD është e detyruar të bëjë betejë për të mbrojtur Dashamir Tahirin, se sa për “krimet” e Dashamir Tahirit.
Standarti i Dashamir Tahirit, nuk është standarti që duhet të ketë deputeti i sotëm në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk është formati i duhur intelektual, qytetar dhe politik, edhe sikur të mos ketë bërë asnjë gabim në Itali.
Shumë shqiptarë, Dashamir Tahirin e mbajnë mend në vitin 1997, në protestat e dhunshme në Vlorë, si krahu i djathtë i Zani Çaushit.
Bashkangjitur këtij shkrimi po botoj dhe videon e reportazhit të televizionit “Rai Due”, që e dëshmon këtë.
Partia Demokratike me apo pa të drejtë, është vënë në kushte mbijetese politike për ekzistencë në vitin 1997 në Vlorë. Ajo ende sot shpesh dhe për hipokrizi, i kthehet vitit 1997 dhe Berisha përpiqet ta trajtojë si një heroizëm mbijetese. Në fakt, së paku në Vlorë nuk ja doli dot as të mbijetonte. Selia ju dogj, kryebashkiaku ju zbua me dhunë nga zyra dhe së paku deri në vitin 2000 nuk shkelte dot. Dashamir Tahiri ishte pjesë e kësaj dhune ndaj Partisë Demokratike.
Tani unë nuk jam shumë i shqetësuar nëse ka pas para fallco Tahiri në xhep, apo patentë fallco në Itali, pasi ai dhe shumë të tjerë si ai, nga PD e PS, nuk kanë punë me standartet e një deputeti, por politikisht Partia Demokratike ka me të problem, historinë e saj.
Berisha ka kërcënuar se do t’ua bëjë socialistëve si më ‘1997, por në fakt më ‘1997, e vetmja gjë që ka ndodhur është që Berishën e vunë përpara mes të tjerash dhe me gangsterë të tillë si Dashamir Tahiri, dhe nuk dinte ku të fshihte kokën pasi çoi dhe fëmijët jashtë. Bile dhe Edi Paloka e la vetëm.
Tani nëse PD mohon historinë e saj për të mbrojtur një deputet që del me probleme nga dekriminalizimi, tregon se është në hall me të shkuarën e saj kriminale.
Kjo ose duhet marrë si një shenjë që PD e sotme e quan të drejtë atë që i ka bërë “populli i Vlorës” më ‘1997 me Zanin dhe Dashon në krye, ose është aq pa identitet dhe pa ide, sa është gati që për politikat e ditës, të fyejë dhe ata pak demokratë dhe mbështetës që i ngelën në Vlorë nën terror në vitin ‘1997.
Dashamir Tahiri nuk përbën sot rrezik kriminal për dosjet që ka në Itali. Nuk i prish punë shoqërisë si biznesmen në Vlorë. Ai i prish punë vetëm PD-së si një poshtërues i vlerave dhe historisë së saj, me të djeshmen e tij kundër PD-së dhe me të sotmen e PD-së pro tij.
Diskutime rreth kësaj post