Partia Demokratike, përmes sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani akuzoi të hënën kryeministrin Edi Rama se po shpërfill mesazhin e sekretarit amerikan John Kerry për dekriminalizimin dhe po i jep pushtet personave të inkriminuar.
“Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi të papranueshme që Arben Ndoka, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, të ishte pjesë e parlamentit. Sekretari Kerry, pasi e vlerësoi dje në Tiranë procesin e dekriminalizimit, e veçoi atë si sukses dhe model që duhet ndjekur. E megjithatë, i zgjedhuri i Edi Ramës, dhe i besuari i tij në Lezhë, Arben Ndoka, prezantoi Prefektin e Qarkut”, tha Ristani, ndërsa e shoqëroi deklaratën e tij me një foto të personave në fjalë.
“Arben Ndoka, që ligji i dekriminalizimit e nxorri jashtë parlamentit, sot, me bekimin e Edi Ramës, qeveris Lezhën, bën emërime, shkarkime, tenderime. Vendos për çdo gjë”, deklaroi Ristani.
Edi Rama po sfidon hapur dekriminalizimin dhe mesazhin e John Kerry, tha sekretari i përgjithshëm i PD-së. Ai po vazhdon t’u japë pushtet personave të inkriminuar, t’i mbajë ata afër dhe po i përgatit për zgjedhjet që po vijnë, për të deformuar votën e lirë, shtoi Ristani.
Diskutime rreth kësaj post