Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla është pyetur nga gazetarët lidhur me deklarayay e kryeministrit Edi Rama për Veriun e Kosovës.
Gërvalla tha se Veriu është pjesë e Republikës së Kosovës, e një shteti sovran dhe të pavarur dhe Republika e Kosovës, është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e njohur nga më shumë se 115 shtete të botës.
Gërvalla: “Sovraniteti nuk duhet të diskutohet nga askush. Ne kërkojmë nga Serbia ta njohë realitetin e këtij vendi. Nganjëherë ka deklarata që na habisin shumë. Nuk dua t’i kontribuoj shtimit të keqkuptimeve.
Kosova nuk ka asnjë shtet më afër se Shqipërinë. Pavarësisht nga deklaratat publike, vendet tona bashkëpunojnë si kurrë më parë. Të gjithë së bashku duhet të flisnin më pak dhe të shihnin si mund t’i ndihmojnë situatës më shumë”.
Sa i takon pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë, Gërvalla u shpreh se përfaqësimi do të vendoset nga institucionet.
Gërvalla: “Se kush merr pjesë më 16 tetor nuk e vendos askush tjetër përveç institucioneve të Kosovës. Ne i marrim vetë vendimet tona. Nuk janë vendosur kushte. Kosova merr pjesë në të gjitha forumet ndërkombëtare”.
Po kështu, ajo foli dhe për idenë e hedhur shpejt nga kryeministri Rama për një konferencë për Kosovën, teksa theksoi se konferenca paqesh janë zhvilluar gjatë luftërave në Ballkan dhe se Kosova nuk është objekt, por subjekt.
Gërvalla: “Nuk ka nevojë për konferenca paqesh, janë zhvilluar gjatë luftërave në Ballkan. Nuk ka nevojë për konferenca ndërkombëtare sepse Kosova nuk është objekt, është subjekt. Si subjekt, Kosova merr pjesë në të gjitha forumet. Duhej një koordinimin, një bashkërendim më i sinqertë mes institucioneve tona”.
Diskutime rreth kësaj post