Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar pas deklaratave të ministres së Financave, Delina Ibrahimaj. Ministrja pranoi sot se skemat e mashtrimit me tatimin mbi vlerën e shtuar të denoncuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim janë të vërteta dhe se kanë qenë vetë tatimet që i kanë referuar në prokurori në vitin 2018.
Sakaq, deputeti demokrat shprehet se ministrja konfirmoi që krimi ekonomik me kompanitë guaskë është lejuar nga qeveria. Ai thotë se ministrja duhet të kishte dalë sot bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve dhe të komunikonin kërkesën për bllokimin e llogarive të kompanive dhe pronarëve që kanë kryer krim ekonomik me kompanitë e inceneratorëve.
Reagimi i plotë:
“Ministrja Ibrahimaj konfirmoi sot se krimi ekonomik me kompanitë guaskë është lejuar nga qeveria!
Ministrja Ibrahimaj duhet të kishte dalë sot bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve dhe të komunikonin kërkesën për bllokimin e llogarive të kompanive dhe pronarëve që kanë kryer krim ekonomik me kompanitë e inceneratorëve. Por jo, ajo doli dhe konfirmoi se kishin dijeni, madje tentoi ta relativizonte situatën si një gjë normale.
Kjo mazhornacë detyroi të gjithë bizneset që pas kasës fiskale të bënin sërish shpenzime të tjera me me detyrim për projektin e fiskalizimit që raporton në kohë reale për çdo gjë. Por mesa duket edhe këto para janë shpenzim i shkuar dëm, ose zyrtarucët kanë mbyllur një sy e një vesh (duhen parë arsyet pse) dhe kanë lejuar këtë krim galopant ekonomik.
Ibrahimaj konfirmoi se kompanitë guaskë kanë bashkëpunuar edhe me kompanitë e inceneratorëve, por pavarësish këtyre fakteve dhe të tjerave që dolën nga Komisioni Hetimor për ministren nuk ka mjaftueshëm shkelje për të stopuar mbushjen e xhepave të pronarëve të inceneratorëve me paratë e taksapaguesve shqiptar.
Qeveria nuk pret vendimin e gjykatës kur bëhet fjalë për të shembur shtëpitë e qytetarëve të thjeshtë, por është “skrupuloz” në respektimin e vendimit kur bëhet fjalë për të vjedhur paratë e tyre me skema të mëdha korruptive.
Ndaj nesër çdo qytetar që e ndien veten të vjedhur, të shtrydhur, të shtypur duhet të dal të protestojë për të drejtat e veta. Për ti thënë STOP arrogancës së kësaj qeverie. Qytetarët duhet të reagojnë për të drejtat e tyre fort e jo për privilegjet e qeveritarëve apo liderëve partiak. Siç thonë edhe mjekët: më shumë rëndësi ka parandalimi sesa kurimi, ndaj gjithësecili duhet të dalë në protestë për të frenuar arrogancën e kësaj qeverie e jo të pres derisa problemi ti vijë te dera e shtëpisë.
#protestome7Korrik”-thuhet në njoftim.
Diskutime rreth kësaj post