Nuk zgjati shumë për të ardhur reagimi zyrtar i Kinës mbi deklaratat e Donald Trump, i cili tha se nuk është e detyrueshme njohja e një Kine të vetme.
“Kina ka dëgjuar me vëmendje dhe shpreh shqetësim të madh për retorikën. Dua të theksoj se çështja e Tajvanit cënon sovranitetin e Kinës dhe integritetin e saj territorial, e njëherësh prek interesin e Kinës. Njohja e një Kine të vetme është bazike për marrëdhëniet Pekin-Uashington”, tha Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Miliarderi Trump e reflekton vazhdimisht instiktin e biznesit në politikat e tij. Aty ku flitet për marrëdhënie financiare, Trump shfaq edhe interesin më të madh, pa pyetur nëse marrëdhëniet e reja që kërkon të ndërtojë me Kinën do të prishnin protokollin, që vendi ka ndjekur për dekada të tëra.
“Unë nuk e di përse ne jemi të detyruar të ndjekim linjën e një politike që njeh një Kinë të vetme, përveçse do të bëjmë marrëveshje me Kinën që përfshin këtu edhe tregtinë”, tha Trump.
Krisja e parë e marrëdhënies u reflektua që me telefonatën, që presidenti i zgjedhur zhvilloi me presidenten e Tajvanit, në një kohë kur Uashingtoni ka lidhje zyrtare vetëm me Kinën dhe jo me ishullin, të cilin Pekini e konsideron si një krahinë separatiste.
“Unë nuk dua që Kina të më diktojë se ç’duhet të bëj. Ajo ishte një telefonatë shumë e këndshme. Kaq e thjeshtë. E pse duhet që disa shtete të jenë në gjendje të më thonë nëse duhet apo jo të bëj një telefonatë?”, deklaroi Donald Trump.
Diskutime rreth kësaj post