Pas vendimit të kryesisë së nëndegës së LDK-së në Ulpianë-Prishtinë për mosvotimin e Hashim Thaçit për president të Kosovës, tani edhe një nëndegë tjetër ka bërë një kërkesë të tillë.
Nëndega e Lidhjes Demokratike të Kosovës “Tophane2” në Prishtinë (pjesë e degës IV e LDK-së) pas mbledhjes së mbajtur sonte ka vendosur që mos ta përkrah Thaçin në krye të presidencës.
Kryetari i kësaj nëndege, Ergyn Janjevaliu ka treguar për “Zeri.info” rrjedhën e këtij takimi me kryesinë dhe elektoratin e kësaj pjese të Prishtinës.
“Kemi pas një mbledhje rreth orës 21:00, nëndega “Tophane-2” e cila është pjesë e degës së IV e LDK-së. Përveç pikave tjera, njëra ishte pyetja për elektoratin për zgjedhjen e presidentit dhe a e përkrahin zgjedhjen e Thaçit për president. Në bazë të mendimeve ku morën pjesë kryesia e nëndegës, kemi pru një vendim me një kërkesë duke ju drejtuar edhe organeve qendrore të LDK-së dhe deputetëve të LDK-së në Parlamentin e Kosovës.
“Në asnjë formë dhe asnjë mënyrë mos ta votojnë Hashim Thaçin për president të Kosovës”.
Sipas tij, elektorati i nëndegës “Tophane2” nuk e përkrah zgjedhjen e tij për president duke përmendur disa prej dështimeve të zv.kryeministrit të Republikës.
“Duhet pasur parasysh se z.Thaçi nuk i plotëson as kushtet, as kriteret dhe asnjë normë për me qenë president i Kosovës. Arsyjet janë se elektorati i LDK-së edhe më parë ka qenë kundër koalicionit me PDK-në por e dimë se qysh ka ardhur deri tek koalicioni, pa dëshirën e elektoratit të LDK-së ku janë marrë obligime. Duke e ditur qysh në kohërat e vjetra, z.Thaçi ka qenë një kundërtash i ashpër i presidentit historik Rugova, duke u nisur nga ajo pikë, por ne e dimë se LDK ka marr obligime me koalicionin me LDK-në por nuk do të thotë kjo se z. Thaçi duhet të zgjedhet patjetër për president”, ka thënë Janjevaliu.
Arsye tjera, sipas tij, janë se nuk është person unifikues i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe puna e tij e dështuar sikurse kur ka qenë përpara në Qeveri dhe tani zv.kryeministër.
“Duke filluar kur ai ka ardhur si Ministër i Punëve të jashtëm kanë ardhur vetëm 2 njohje, dështimi në pranimin në UNESKO si dhe dështimi për liberalizimin e vizave të cilin e ka premtuar shumë herë. Pika më e rëndësishme është se ai nuk është person unifikues dhe nuk parapëlqehet nga shumica e qytetarëve të Kosovës. Edhe pse e dimë se jemi në koalicioni me PDK-në, ne ju kishim parashtruar një pyete: A nuk ka PDK-ja ndonjë personalitet tjetër për president, apo është vetëm z.Thaçi aty për kryeministër, president e kryetar partie. Ne e dimë se ka njerëz të cilët edhe ne PDK e meritojnë të jenë president të Kosovës”, është shprehur ai.
Në fund, kryetari i nëndegës së LDK-së në “Tophane2” ka thënë se pas zgjedhjes së Thaçit president, ky i fundit mund ta prish koalicionin me partinë e tyre.
“Nuk i besojmë z.Thaçi që nëse zgjidhet ai për president të Kosovës se nuk do ta prish koalicionin pas një kohe shumë të shkurtër”, ka thënë ai. /Zëri/
Diskutime rreth kësaj post