Një tjetër lëvizje në radhët e skuadrave kombëtare të moshave pritet të ndodhë së shpejti, lëvizje që duket se kanë në fokus përtëritjen e disa ekipeve dhe nxitjen e afrimit e të seleksionimit të elementëve më të mirë. Ish-portieri i Kombëtares, Orges Shehi, duket se do të marrë shpejt një rol trajneri tek ekipet e moshave dhe bëhet fjalë për një skuadër të rëndësishme, por ende asgjë nuk është zyrtare, ose më saktë nuk është zyrtarizuar. Në fakt lëvizja pritej të ndodhte dhe do të ndodhë, por duhet që në FSHF të bëhen lëvizje “on bllok” për disa situata të krijuara. Kështu, lëvizjet janë diktuar nga ndryshimi që ka ndodhur, pasi Nevil Dede vendosi të veshë tutat e trajnerit të Tiranës.
Pra, Dede prej afro një muaj u bë trajner i Tiranës, ndërsa Kombëtarja U-19 mbeti pa “timon”. Dhe sipas medieve sportive në versionin online, duket se një emër i njohur ulet në stolin e skuadrës kuqezi për të rinjtë. Dhe bëhet fjalë për durrsakun Orges Shehi që duket se do të drejtojë ai kuqezinjtë 19-vjeçarë. Kujtojmë që Shehi ishte dhe kandidat për Shpresat U-21, ndërsa ka pasur edhe disa oferta nga skuadra të elitës. Kujtojmë që Shehi drejtoi edhe skuadrën e Kukësit, ndërsa tashmë ai do të marrë skuadrën kuqezi. Rrallë në vendin tonë portierët janë bërë trajnerë, por Shehi ka pasur fatin që gjatë karrierës së tij në shumë ekipe të njohura të vendit tonë, të punojë me emra mjaft të njohur, vendas dhe të huaj, duke fituar edhe “zanatin” prej tyre.
Bushi elozhe për ekipet e moshave kuqezi
E ndërsa Orges Shehi bëhet gati të marrë drejtimin e U-19 (nëse nuk do të ndodhë ndonjë e papritur në minutën e fundit), tekniku i Shpresave, Alban Bushi, ka analizuar ecurinë e skuadrës së tij në eliminatoret e Europianit, suksesin e rëndësishëm si vend i tretë në grup pas Anglisë dhe Austrisë, por edhe elementët cilësorë që vijnë nga moshat. Në shortin e muajit janar, ku kuqezinjtë do të njohin kundërshtarët e eliminatore të ardhshme për Euro 2021, Shqipëria do të jetë në vazon e katërt. Bushi nuk e fsheh gëzimin e tij dhe shprehet se kjo arritje është rrjedhojë e punës së mirë që është zhvilluar në dekadën e fundit.
“Ngjitja në vazon e katërt më bën të ndihem mirë. Tregon se është bërë një punë e mirë nga të gjithë futbollistët, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, nga i pari te i 40-ti, duke parë që ishin plot 40 futbollistë që morën pjesë këtë edicion. Një falënderim shkon për stafin teknik dhe atë administrativ për këtë arritje, që mund ta cilësoj pa frikë historike. Kjo është diçka shumë e mirë për Shqipërinë, sepse mendohet se nga vazo 5 dhe 6 do të kemi dy kundërshtar më të lehtë në letër nga sezoni ardhshëm. Kjo arritje na bën të ndihemi mirë”, tha Bushi, i cili më pas ndalet të bëj një analizë të të gjithë fushatës eliminatore. Dy edicionet e fundit eliminatore shumë lojtarë kanë bërë kalimin e madh, duke shkuar nga skuadra U-21 te Kombëtarja A. “Kalimi i lojtarëve te Kombëtarja A është një tjetër objektiv i arritur. Shumë lojtarë kanë kaluar te ekipi A, në shifra si asnjëherë më parë.
Kjo është një punë e bërë shumë mirë nga Federata Shqiptare e Futbollit, sepse jo vetëm ekipi U-21, por të gjitha moshat nga U-15 deri te U-21 kanë punuar mirë për të furnizuar sa më shumë ekipin A. Strategjia jonë ka qenë për të përfshirë lojtarë të rinj, pavarësisht se mund të mos na ndihmojnë në atë ndeshje, por që t’i kishim si perspektivë për t’i çuar në Kombëtaren e madhe. Dua të marr dy shembuj, siç janë Kumbulla dhe Broja. Kumbullën e kam thërritur tek U-21 kur ai ishte katër vite më i vogël se grupi, që luanim në atë moment si Keidi Bare e Seferi që ishin datëlindja 1996. Ai është datëlindja 2000 dhe ne aktivizuam për ta kaluar sa më parë në Kombëtaren A dhe kjo rezultoi e suksesshme. Kështu ndodhi edhe me Brojën, të cilin e grumbulluam pavarësisht se ishte tre vite më i vogël nga datëlindjet 1998 dhe tani është në ekipin e parë. Njëlloj edhe me Selahin. Ky është një objektiv i arritur 100% dhe një punë e bërë shumë mirë te moshat e Shqipërisë. Në grupin e U-21 ka pasur momente që janë afruar edhe lojtarë që janë pesë vite më të vegjël se mosha që luan aktualisht, siç është Mitaj i datëlindjes 2003, kapiteni i U-17 që luan te AEK-u Athinës. Këtë lojtar e aktivizuam edhe me Kosovën dhe me Anglinë. Mendoj se është lojtar shumë i mirë, i perspektivës, të cilin Shqipëria do ta ketë për 15 vitet e ardhshme”, nënvizoi Bushi.
Diskutime rreth kësaj post