Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar sa i takon debatit lidhur me largimin e “Shqiponjës”, e cila ishte vendosur në hyrje të Tiranës.
Në një status në rrjetin social Facebook, Duka e cilëson debatin si të stisur dhe që synon të lodhë opinion publik. Kreu i PAA-së thekon se është e rëndësishme të mos biem pre e kësaj strategjie djallëzore komunikimi, pasi, sipas tij, në këtë mënyrë bëhemi pjesë në zgjidhjen e halleve të qeverisë, dhe jo të shqiptarëve.
“Po ndjek me keqardhje debatin e stisur mbi simbolin tonë kombëtar; nga dhjetëra mënyra për të përcjellë lajmin e zëvendësimit të “Shqiponjës”, u zgjodh ajo më e zhurmshmja dhe jo pa arsye.
Përdorimi i qëllimshëm i një fjalori të papërshtatshëm synon krijimin e një debati të lodhshëm për opinionin publik, nëpërmjet të cilit të largohet vëmendja nga temat e rëndësishme dhe urgjente të agjendës politike.
Nuk ka asnjë debat mbi arsyet e largimit të shqiptarëve, apo mënyrën për t’i rikthyer në vendin e tyre; për rënien e lindjeve dhe krizën demografike, për 79% të rinjve që duan të largohen nga Shqipëria, për mungesën e investimeve të huaja, për fshatin e braktisur dhe borxhin publik që është kthyer në një bombë me sahat.
Por ka vetëm një lojë të turpshme për të përdorur në mënyrë barbare çdo gjë që mund të sigurojë mbijetesën politike. Është e rëndësishme të mos biem pre e kësaj strategjie djallëzore komunikimi, pasi në këtë mënyrë bëhemi pjesë në zgjidhjen e halleve të qeverisë, dhe jo të shqiptarëve”, shkruan Agron Duka në rrjetin social Facebook.
Diskutime rreth kësaj post