Analisti Fatos Lubonja ka komentoi ardhjen e këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviç në festën e birrës në Korçë.
I ftuar në rubrikën “Opinion” Lubonja, tha se Bregoviç nuk përfaqëson nacionalizmin serb, duke shtuar, se Rama po e përdor me ftesën në atë festë, për të krijuar debat edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që refuzoi përfshirjen në “Ballkanin e Hapur”.
Sipas Lubonjës, këto debate, bëhen për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga problemet reale të vendit, si situata e zjarreve, patronazhistët në kohën e zgjedhjeve dhe votat e vjedhura sipas tij më 25 prill.
“Bregoviçi, nuk është nga ata që njohim ne, përfaqësuesi i nacionalizmit serb. Ai është një figurë që konsiderohet jugonastalgjik, e këto janë pjesa më anti-nacionaliste e Jugosllavisë. Nëse na duhet paqe, bashkëpunim, ky fare mirë mund të përdoret si intelektual, që të kontaktojë me këngëtarë e intelektualë të tjerë shqiptarë për këtë frymë. Mirëpo, në vend që të ndahen gjërat ne i bashkojmë.
I ka bashkuar Rama sipas meje, ai është regjia. Duke qenë Bregoviçi një figurë e tillë, ky e merr këtë figurë dhe ndikon nëpërmjet Bashkisë së Korçës që të vijë ky në koncert, për të promovuar ‘Ballkan Open’, por edhe për të diskredituar, ulur, kundërshtarët e tij politikë. Kundërshtarët e ‘Balkan Open’, duke thënë që ‘ja cilët janë këta’. E kjo është temë që ha debat.
Një Bregoviç krijon gjithë këtë problem? Atëherë je qasur gabim si politikan. Ku janë gabimet? Njëri gabim kryesor për mendimin tim është që këtë punë duan ta bëjmë nga lart-poshtë, jam për paqe thotë ky, jam që shqiptarët, kosovarët të jetojnë…
Po mirë mo si bëhet kjo, bëhet me urdhrin e peshkut nga ty, që shkon takohesh me Vuçiçin, që biles kur ta do puna vë edhe flamurin e Shqipërisë së Madhe në Kryeministri, para ca kohësh. Apo kjo bëhet nëpërmjet të tjera politikave, të tjera mjeteve.
Mjetet e intelektualëve që krijon hapësira kulturore, duke respektuar gjithmonë ndjeshmëritë e të tjerëve. Ti flet për Ballkan të hapur dhe prish Kosovën me Shqipërinë. Vetë ky konflikt kaq i ndezur tregon që s’ke përgatitur një terren paqeje të vërtetë. Deri dje ke qenë me projektin e ndryshimit të kufijve të Kosovës, indirekt e ka pranuar, që është dhe ky problem.
Gabimi tjetër është pikërisht tek mbështetja që mendon ky, ‘boll të kem mbështetje amerikane, nga jashtë’, po ç’rëndësi ka se ç’thotë Albin Kurti. Janë primitivë, unë kam mbështetje’. Por përsëri është gabim, ju thashë rastin e Afganistanit. Politikisht duhet ta mendosh drejt, e dyta ata mund të gabojnë. A qëndron apo nuk qëndron kjo që bëke ekonomi të hapur, hapke ti kufijtë gjasme dhe kjo zgjidhka problemet? Jo, kjo mund t’i acarojë, siç i ka acaruar me Kosovën”, tha Lubonja.
Diskutime rreth kësaj post