Disa orë para mbajtjes së seancës së parë plenare për këtë sesion parlamentar për vitin 2017, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur grupin kuvendor të forcës politike që ai drejton. Fillimisht ka qenë Basha që ka informuar deputetet rreth takimit me partitë aleate të koalicionit, ku u diskutua lidhur me reformën zgjedhore dhe hapat që do të marrë opozita në raport me zgjedhjet.
Të njëjtat burime pohojnë se brenda mbledhjes ka patur mjaft debate. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mësohet të jetë shprehur kundër bojkotit të Kuvendit, qëndrim që është mbështetur edhe nga deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. “Nuk jam për të bojkotuar Parlamentin, kjo do na penalizonte”, – është shprehur Topalli. Ndërsa Bregu ka vijuar “jo 22 parti, por 52 të jenë aleatët tanë, barra është e jona”.
Por brenda mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së ka patur edhe zëra në mbështetje të bojkotit të Kuvendit. Sipas burimeve, deputeti Genc Ruli është shprehur se “Për të arritur zgjedhje normale, ia vlen dhe të shtyhet data zgjedhjeve”. Ndërsa Arben Ristani mësohet të jetë shprehur se “duhet të përshkallëzojmë reagimet, me bojkot e protesta”. Me të ka replikuar Bregu që mësohet të ketë thënë se “a është në gjendje sot PD të organizojë protesta”
Kurse deputeti Aldo Bumçi ka propozuar që PD të përgatisë variantin e saj. “Duhet të përgatitim variantin tonë. Nëse e nisim, duhet ta përfundojmë aksionin. Prandaj duhet te kemi kujdes ne vendimmarrje”, – është shprehur Bumçi.
Deputetja Majlinda Bregu ka deklaruar se pavarësisht aleatëve barra e madhe në këtë rast është e Partisë Demokratike.
Diskutime rreth kësaj post