Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve zhvilloi ditën e djeshme mbledhjen e radhës për të shqyrtuar ankimimin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim mbi rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Beratit. LSI ka depozituar në KAS 2 kërkesa ankimore për rezultatin në Qarkun Berat, për rinumërim të votave dhe për shpallje pavlefshmërie e ripërsëritje të zgjedhjeve ndërsa PD kërkon vetëm ripërsëritje të zgjedhjeve në të gjithë qarkun. Teksa PD nuk ka shfaqur ende qartësi lidhur me rastet e shitblerjes së votës, KAS ka mbajtur një qëndrim shumë skeptik ndaj tyre. Përfaqësuesi i PD Marash Logu akuzoi kandidatët e PS se kanë ngritur një skemë kriminale të blerjes së votës me 50 mijë lekë për çdo person duke pasur si bazë paditë e bëra në SPAK dhe kërkoi nga KAS të marrë informacione nga Prokuroria e Posaçme.
“PD ka denoncuar faktin se në zonën zgjedhore Berat nuk kishte përballë saj një parti politike dhe kandidatët e saj por pushtetarë që vepronin si grupe kriminale që blinin vota. PS ka blerë vota me 50 mijë lekë”, tha Logu.
Ndërkohë përfaqësuesi i LSI Altin Kaziaj ka kërkuar një vlerësim objektiv të provave pasi sipas tij ka patur raste të shitblerjes së votës në një natyrë të rëndë. Por provat e paraqitura nga palët u cilësuan të pavlefshme nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ Eridian Salianji, i cili deklaroi se duhet ndarë gabimi material nga shkelja e ligjit. Ai tha se shkeljet e hetuara nga KZAZ dhe të konfirmuara nuk janë shkelje.
“Duhet të ndash gabimin material nga shkelja e ligjit. Këto shkelje që janë hetuar nga KZAZ dhe janë konfirmuar nga ana jonë, nuk janë shkelje. Kjo është kërkesë politike ska asnjë argument ligjor dhe vlerë juridike. Sa i përket zgjidhjes që ata kërkojnë nuk është këtu zgjidhja. Pjesë e këtyre grupeve të numërimit janë edhe anëtarët e opozitës. Këtu nga një fjalim po kthehet në një teatër”, tha Salianji.
Kjo situatë më pas krijoi një debat tjetër ku përfaqësuesi i PD akuzoi anëtarin Ilir Rusmali se është duke mbështetur PS. Por Rusmali dikur eksponent i demokratëve u shpreh se nuk duhen bërë komente për njëri-tjetrin e as të përsëriten ndërhyrjet e bëra.
“Të mos bëjmë komente për njëri-tjetrin. Nuk ka nevojë që nën emërtim të përsëriten ndërhyrjet e bëra edhe një herë tjetër. Se nuk është në rastin tonë “përsëritja, mëmë e dijes”, është mëmë e bezdisë”, tha Rusmajli. Ndërsa Logu u shpreh se Rusmajli e lejoi PS të kalojë në përsëritje ndërsa PD-në jo. KAS po ashtu e shtyu për sot dhënien e vendimit për kërkesën ankimore të PD dhe LSI për rezultatin në qarkun e Beratit.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim dje me banorët e Fierit ku ka folur lidhur me ankimimet e bëra nga PD për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Basha tha se KAS refuzoi t’ju kërkojë organeve shtetërore provat e manipulimit. Ai tha se fare qartë është shkelur Kodi Zgjedhor dhe këto prova sipas janë refuzuar sepse nëse hetohen do të vihet re haptazi sesi është shkelur Kodi Zgjedhor në mënyrë flagrante.
“Shikoni marifetet që përdorin! Refuzojnë t’ju kërkojnë organeve shtetërore provat e manipulimit. Besoj e keni ndjekur! Refuzojnë t’i kërkojnë kadastrës tapitë që kanë ndarë sepse krahasimi qark për qark dhe në nivel kombëtar, i nxjerr haptas dhe në mënyrë flagrante në shkelje kriminale të Kodit Zgjedhor. Refuzojnë të bëjnë të njëjtën gjë me certifikatat e legalizimit, me sigurimet shoqërore dhe punësimet e paligjshme”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post