Izraeli nuk është Spanja, një kundërshtar gjithsesi i vështirë, por ndaj të cilit duhet fituar për të arritur objektivin minimal që është vendi i 3 në grupin G.
Në përballjen e 12 nëntorit kuqezinjtë vijnë në një formë të shkëlqyer me futbollistët tanë që janë ndër më të mirët tek skuadrat me të cilat aktivizohen. Në konferencën për shtyp trajneri Giani de Biasi tregon recetën se si duhet përgatitur ky 90 minutësh përpara publikut që pret fitoren.
“Izraeli është një skuadër e fortë dhe me kualitet. Kush nuk e njeh futbollin dhe mendon se do të fitojmë me lehtësi gabon. Ata kanë një ekip të mirë, lojtarë që luajnë tek Hapoel Bir Sheva që fitoi ndaj Interit në Milano. Ne do të tentojmë fitoren. Sigurisht që respekti ndaj kundërshtarit është një element kyç për të përgatitur sfidën. Nëse shkon me sigurinë se do ta mposhtësh atëherë e gjen veten të mundur, njësoj si Davidi ndaj Goliasit”, tha De Biasi.
Sigurisht më pas vëmendja është vendosur tek lista, lojtarët e grumbulluar por edhe të rinjtë premtues që mund të jenë pjesë e skuadrës në të ardhmen.
“Që kur kam ardhur këtu objektivi ynë ishte të sillnim futbollistë të rinj nga jashtë. Arritja në europian tregon se kemi bërë një punë të mirë në të gjitha aspektet. Pastaj gjithçka është çështje zgjedhjeje, ngjyra e kuqe apo blu. Për mua është e rëndësishme grupi dhe jo individët. Ajo që më shqetëson nuk është fryma në skuadër por ambienti, që mendon se jemi më të mirët. Duhet të jemi bashkë edhe në vështirësi dhe të mos lejojmë që euforia të na dëmtojë”, tha mw tej De Biasi.
Natyrshëm, trajneri kuqezi dha edhe një sqarim për mbetjen jashtë liste të Ergys Kaçes dhe të të spikaturit në MLS, Shkëlzen Gashi.
“Pse nuk është Kaçe dhe Gashi? A janë lojtarë më të mirë se ata, të zgjedhurit për këtë ndeshje, emrat e të cilëve janë në listë? Përgjigjja ime është e drejtpërdrejtë: kam zgjedhur lojtarë të tjerë. Lojtarët e grumbulluar janë në gjendje më të mirë sesa Kaçe. Kjo pyetje e ka përgjigjen brenda. Gashi nuk është përzgjedhur për arsye teknike. “Mbyllja e “derës” është një zgjedhje e momentit, gjithçka mund të ndryshojë. Pash edhe golin e djeshëm që kishte realizuar, ishte shumë i bukur. Gashi ka edhe problemin e distancës dhe kohës së ndryshme me ne, pasi luan në Amerikë. Në një moment tjetër më të mirë për të, ai do të grumbullohet”, përfundoi De Biasi.
Diskutime rreth kësaj post