Të gjithë dhanë detaje gastronomike për pjatat dhe çfarë hëngrën Rama dhe Meta. Deri tani, nuk dihet se kush e “hëngri” nga darka apo pakti i ri Rama-Meta.
Rreth orës 01:00 është mbyllur takimit mes Kryeministri Edi Rama dhe aleati kryesor në qeverisje, Ilir Meta. Darka mes tyre zgjati për rreth 4 orë në një nga restorantet te ‘Pazari i Ri’ në Tiranë. Takimi mes kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, ku pjesë e tryezës ishin edhe Erion Veliaj me Petrit Vasilin nisi rreth orës 21:00 dhe përfundoi në orën 01:00 pas mesnate. Në qendër të diskutimit mes dy aleatëve në qeverisje ishte rinovimi i koalicionit edhe për një tjetër mandat, por ende nuk dihet se çfarë është vendosur në përfundim të 4 orëve.
Deri tani dihet se për katër orë dy politikanët më të pushtetshëm të vendit kanë porositur menu peshku dhe kanë konusumuar verë të rrallë, e cila nuk gjendej në restorant, por e kanë sjellë shoqëruesit e Kryeministrit.
Edhe pse vendi është në krizë politike, me një opozitë që refuzon të hyjë në zgjedhje, edhe pse koalicioni PS-LSI është në fije të perit, edhe pse klasa politike rrezikon të çojë situatën në përplasje ekstreme, ky takim nuk ka asnjë qëndrim zyrtar.
Kryeministri dhe Kreu i Kuvendit, mund të konsumonin në çdo ditë dreka dhe darka. Mund të pinin dhe kafe të Sofra e Ariut, por jemi në një situatë anormale të vendit dhe sjellja sikur nuk ka ndodhur gjë është tallje me qytetarët.
Rama dhe Meta janë dy njerëzit nga të cilët vendoset se ku do të shkojë Shqipëria në muajt e ardhshëm. Nuk flitet më për vetëm për fatin e koalcionit, por edhe për fatin e qeverisjes dhe të zgjedhjeve. Në raste të tilla politikanët e përgjegjshëm bëjnë marrëveshjet, pastaj edhe mund të ngrenë ndonjë gotë kur është arritur pakti. Këtu nuk dihet për çfarë festohet. Ka marrveshje politike? Është gjetur zgjidhje për krizën me PD? Zyrtarisht asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Nëse nuk ka diçka të tillë, atëherë kujt i duhej një darkë mes Ramës dhe Metës si të jenë personazhe showbizzi.
Takimi nuk ishte sekret. Sekrete është vetëm biseda që u zhvillua. Mediat i servirën opinionit, njëlloj si kamarierër detaje banale nga darka. Vera e shtrenjtë e ardhur kush e di nga se ku. Menuja e peshkut, pas ngjalava të 4 vjetëve më parë, si për të treguar se nuk heqin dorë nga tradita e peshkatarëve. Vendi ku u zgjodh takimi, një reklamë falas për punën e Bashkisë së Tiranës. Të gjitha këto janë detaje vulgare të një klase politike që tallet me votuesit dhe njerëzit normal të këtij vendi.
Bashkëbiseduesit me mjeshtëri nxorrën për mediat detaje idote nga darka sa për të mbajtur gjallë kureshtjen, por asnjë të dhënë se çfarë u diskutua, apo dhe çfarë u vendos. Mediat afër Ramës thanë se u arrit pakt për vazhdimin e koalcionit. Mediat afër PD-së e shohin si një aferë të re. Mediat afër Metës, si gjithmonë, e servirën si një takim me “qetësi dhe dashuri”. Të gjithë dhanë detaje gastronomike për pjatat dhe çfarë hëngrën Rama dhe Meta. Deri tani, nuk dihet se kush e “hëngri” nga darka apo pakti i ri Rama-Meta.
A.K
Diskutime rreth kësaj post