Danezët ndahen nga pagesa me para në dorë
Pagesa dixhitale është e përhapur në Danimarkë. Jo vetëm blerje të mëdha danezët i bëjnë me kartë krediti, por edhe blerjet më të vogla, të tilla si bukën dhe sallamin në rrugë.
Me gjithë motin e ftohtë dhe me re në një qebaptore në qendër të Kopenhagës ka shumë lëvizje. Sallami i nxehtë me kastravec dhe qepë është po aq i preferuar për turistët, sa edhe për danezët, që punojnë aty pranë apo që bëjnë pazarin, shkruan DW.
Andreas Sigsgaard shet prej një viti “poelser” daneze. Sapo kërkon të blejë klienti, ai e di si do ta paguajë sallamin: Turistët nxjerrin paratë – danezët kartën e kreditit. Edhe shuma të vogla si për një sallam, paguhen fare natyrshëm me kartë.
Shumica e kalimtarëve duhet të mendohen se kur kanë paguar për herë të fundit me para në dorë. “Është fare e thjeshtë me kartë”, thotë një grua. “Unë nuk kam më të holla në duar”, shton një burrë. Vetëm kur duhet të paguajë për qëllime bamirëse, atij i krijohen probleme. “Atëherë nuk kam para për të hedhur në kuti.”
Në shumë vende të tjera, si për shembull në Gjermani, kjo është ende e paimagjinueshme. Secili ka të holla me vete. Përveç kësaj, shumë kanë frikë se mos veprimet e tyre personale financiare mund të kontrollohen.
Pagesa pa para është në fakt praktike, por mbi të gjitha është edhe një mjet, që bankat të zvogëlojnë shpenzimet dhe të fitojnë më shumë para, thonë kritikët.
Por shumica e danezëve duket se nuk shqetësohet nga fakti, që bankat e dinë saktësisht se çfarë ka blerë kush dhe kur: “Duhet t’u besohet bankave”, thotë një kalimtar tjetër i pyetur për këtë problem. Sisteme të përsosura nuk ka dhe pagesa pa para ka në fund të fundit shumë avantazhe.
I këtij mendimi është edhe shitësi Andreas Sigsgaard: “Kur numërojmë paratë në fund të ditës, kemi më pak para për të numëruar, kjo është pak më e thjeshtë, dhe nuk numëron gjë gabim.” Për më tepër për atë si shitës në rrugë është disi më e sigurtë të mos ketë aq shumë të holla me vete.
Këtë problem nuk e kanë dyqanet e mëdha. Megjithatë shumica e shitësve janë për dixhitalizimin e tregtisë. Kinkaleritë “Matas” për shembull. Para disa muajsh ata kanë futur në të gjitha filialet pagesën nëpërmjet telefonit celular.
Pagesa kryhet shumë shpejt. “Ne duam të çlirohemi nga paratë cash”, thotë Thomas Grane, IT menaxher në Matas. Numërimi i parave, masat e sigurisë për to, e gjitha kjo kushton. “Ne duam ta evitojmë atë përfundimisht dhe për këtë arsye kemi futur tani edhe pagesën me celular.”
Dhe danezët janë dakord. Tashmë një e treta e danezëve kanë instaluar në telefonin celular një app “mobilepay” dhe e përdorin atë. Sidomos për transaksione financiare private ai është i preferuar.
20 vjet më parë danezët paguanin ende 80 për qind të blerjeve të tyre me para no dorë, sot më pak se 25 për qind. Dyqanet daneze, që nuk shesin ushqime, së shpejti mund të marrin leje për të mos pranuar më para. Në Suedinë fqinje një gjë e tillë është tashmë e lejuar. Në dyert e shumë dyqaneve lexon mbishkrimin: “Vi hanterar ej kontanter”, e përkthyer: “Ne nuk pranojmë para.” Dhe politikanët dhe bankierët duan që vendi deri në vitin 2030 të paguajë tërësisht pa para.
Hugo Frey Jensen, shefi i bankës qendrore daneze, nuk do të përcaktojë një datë fikse: “Ne jemi të detyruar të vëmë në dispozicion aq para, sa ç’kërkojnë popullsia dhe frimat, dhe ne kështu bëjmë.” Nga ana tjetër ai mendon se është e rëndësishme që “të ketë një sistem efikas dhe të sigurt të pagesave”. Për një vend të vogël si Danimarka është e rëndësishme të ulen shpenzimet dhe të përshpejtohet dixhitalizimi.
Diskutime rreth kësaj post