Ekspertja e njohur e ekonomisë Teuta Nunaj komentoi lajmin e fundit të qeverisë se pensionet minimale që aktualisht janë nga 70-80 euro pritet të shkojnë në 150 euro. Në një intervistë për Klan News ajo ka treguar të gjitha informacionet dhe detajet se sa mund të realizohet ky premtim. Nga ana tjetër, ajo ka folur edhe për indeksimin e pensioneve në muajin tetor. Sipas saj, kemi patur një normë interesi e cila vjen duke u ulur dhe e gjitha kjo bën që kur të kemi indeksimin për këtë vit në Tetor, të mos e kemi më në një vlerë aq të lartë që ishte në vitin 2023, por të jetë më e ulët. Sipas saj do të ketë një rritje përmes indeksimit në një masë më shumë se 5% përsa i përket pensioneve.
-Pensionet minimale 150 euro nga 70-80 euro që janë aktualisht. A do të realizohet diçka e tillë dhe si do të reflektohet kjo te pensionet të cilat janë më të larta në vlerë te të moshuarit?
Kur kemi bërë analizën e pagave në sektorin e administratës publike, kemi thënë që përsa kohë kemi të bëjmë me një pagë që vjen si pasojë e një vendimi qeverisje, pra një vendim politik, automatikisht çdo rritje është e mundshme pasi pagat e administratës janë pjesë e buxhetit të shtetit. Të njëjtën logjikë kemi edhe për pensionet. Për sa kohë pensionet do të vijojnë të jenë pensione buxhetore pasi të gjitha kontributet, derdhim si kontribuues në buxhetin e shtetit. Dhe më tej nga vlera e buxhetit të shtetit, paguhen pensionistët si shpenzim, automatikisht themi se çdo rritje është e mundshme, një rritje pensioni përmes një vendimi politik. Nëse qeveria do të planifikojë dhe do ta ketë objektiv, ashtu siç e deklaron se deri në 2030-ën të mos kemi një pension, nën një vlerë minimale 150 euro.
-Sa mund të shkojë një pension mesatar nëse minimali shkon 150 euro?
Aktualisht ne kemi pensione të ulta, diku në një vlerë 1000-1100 lekë pensione në zonat rurale dhe një pjesë në zonat urbane. Nëse ne kemi bërë një rritje përmes indeksimit, ky indeksim ka shkuar edhe te pensionet më të larta, pra te të gjithë nivelet e pensioneve pasi nuk ka patur fasha indeksimi. Nëse qeveria do të synojë ta ndaj me dy fasha, p.sh. duhet të kemi pensione deri në 150 euro do rriten 6% ose pensione mbi 150 euro do rriten 5%, do të krijohet një lloj disniveli. Ky është një disnivel i padrejtë sepse nëse ti do ta marësh si indeksim në bazë të inflacionit, por inflacioni është njësoj si në një normë të ulët dhe atë në një normë më të lartë por në këtë rast, nëse ti do ta ndihmosh për ta rritur, duhet të kesh një formë tjetër pa e diferencuar. Në këtë rast, rritja e pensionit minimal nuk rritet drejtpërdrejtë me pensionin maksimal, rritet vetëm në rast se ka përcaktuar një fond sesi do të indeksohen këto pensione në të ardhmen.
-Duke marrë parasysh se vlera nuk është shumë e madhe, nga 1000-1100 lekë të vjetra në 150 euro nuk është ndonjë rritje shumë e madhe. Pse duhet kaq shumë kohë, nga tani në vitin 2030, kaq e vështirë është të ndodh më shpejtë duke marrë parasysh vlerën jo shumë të lartë midis pensionit minimal dhe atë që synohet?
Duhet të kemi 2 element në konsideratë, e para është numri i lartë i pensionistëve që kanë pensionin nën 150 euro dhe e dyta, ne mund të themi që kjo është vlerë e vogël për një muaj por nëse e shumëfishojmë në 1 vit e ndër vite, atëherë vlera është e lartë. Themi që rritet vlera ndër vite sepse kur rrisim një pension, supozojmë kur një individ del në pension në moshën 65 vjeç, atij i rritet kjo vlerë dhe nga vlera 110 euro në 150 euro është një diferencë prej 40 euro dhe kjo është një rritje e përvitshme, jo si bonus në fundit i cili nuk e ka detyrim ligjor. Në momentin që rrit pensionin, e ka detyrim ligjor rritjen.
-Indeksimi u pa që pati vitin e kaluar një indeksim të pensioneve, dikush e ligji me fushatën elektorate ndërsa për këtë vit ende nuk është folur për një indeksim i cili është i detyrueshëm të bëhet brenda vitit edhe në bazë të lëvizjeve dhe luhatjeve që ka vlera e inflacionit në Shqipëri, parashikohet dicka e tillë ku vitin e shkuar vlera ishte 8.6%, sa mund të jetë këtë vit?
Qeveria dy vitet e fundit ka ndryshuar pak kahun, indeksimi i pensioneve është një detyrim ligjor i cili është përtej vullnetit politike. Në rastin e dytë, kemi të bëjmë me kohën e indeksimit, vite më parë indeksimi ka qenë në muajin shkurt por në dy vitet e fundit indeksimi është bërë në muajin tetor. Ajo që është themeltare është norma e rritjes së interesit. Ne kemi patur një rritje të vazhdueshme të çmimeve në norma interesi shumë herë më të ulta në krahasim me vitin 2023. Kemi patur një normë interesi e cila vjen duke u ulur dhe e gjitha kjo bën që kur të kemi indeksimin për këtë vit në Tetor, të mos e kemi më në një vlerë aq të lartë që ishte në vitin 2023, por të jetë më e ulët. Unë gjykoj se do të ketë një rritje përmes indeksimit në një masë më shumë se 5% përsa i përket pensioneve.
-Çfarë po ndodh me skemën e pensioneve, duke marrë parasysh faktin e largimeve masive ose mos derdhja e kontributeve nga qytetarët në moshë të re relativisht që kontribuojnë te skema e pensioneve e si e tillë një shumë e konsiderueshme e parave hidhet nga buxheti i shtetit për të mbajtur gjallë skemën. Është e rrezikuar?
Përsa kohë kemi të bëjmë me skema publike apo politike, asnjëherë nuk falimentojnë për vihen në vështirësi kur kemi këtë diference të lartë mes shpenzimeve për pension dhe të ardhurat që vijnë nga kontributet, automatikisht dora shkon te buxheti i shtetit. Te skema e pensioneve kemi dy probleme të mëdha, informaliteti dhe numri i individëve të cilët derdhin kontribute kundrejt forcës së punës, që në këtë rast e njohim si norma e varësisë. Pra, sa individ kemi të punësuar dhe sa prej tyre janë ata që derdhin. Kjo në këtë rast, krijon pjesën e disbalancës pasi kemi shumë qytetarë të cilët nuk derdhin kontribute shoqërore se jo vetëm që punonjësi nuk e derdh por edhe vetë ndërgjegjësimi i tij. Te kjo pjesë lidhet edhe fakti që kemi ende paga të ulta, pasi sa më të ulët ta kesh pagën aq më pak kontribut derdh. Ne sërish vijojmë të mbështesin sektor me paga të ulta si ndërtimi, turizmi por nuk mbështesim ekonominë e dijes, atë të prodhimit, ekonomi, produkt, dije, që tepron një pagë më të lartë.
-Rritja e pagave që ka ndodhur në disa sektor edhe në administratën publike, a do të ndihmojë skemën e pensioneve apo gjithmonë mbetemi te ajo që gjithmonë ka rëndësi goditja e informalitetit në mënyrë që çdo para që merret të derdhet si kontribut për atë shifër?
Nëse ne do të flasim për punonjësit publik, janë 1/4 e punonjësve në Shqipëri. Nëse kemi rritje të pagës së tyre, automatikisht kemi rritje të kontributeve të tyre. Por nëse ne kemi të bëjmë me një skemë sociale, skemë pensioni publik ku paratë merren nga buxheti, pra nga buxheti paguaj më shumë punonjësin publik e nga ana tjetër, punonjësi publik më derdh në buxhet më shumë kontribut. Por në vetvete, në buxhet nuk ndryshon ose ndryshimet janë shumë të pakta. Problemin e kemi në sektorin publik ku është 3 herë më i madh se sektori publik, ku nëse do të rris kontributet, kjo do të jetë realisht një ndihmë e vërtetë për skemën e pensioneve. Jo rritja e pagave në sektorin publik pasi është e njëjta para që qarkullon brenda buxhetit të shtetit, brenda dhomës së madhe me ndarje dhomë më të vogël në kontributi apo rritja e pagave.
-Si ndryshon skema e pensioneve nëse Shqipëria futet në BE?
Këtu kemi të tjera rregulla e zhvillime pasi je i detyruar të zbatosh disa norma. Në dijeninë time, mesa e njoh skemën e pensioneve në Itali, nuk është se BE do të përcaktojë një masë pensioni, që do të thotë se nën këtë shifër pensioni nuk do të japësh pasi asistimi i pensioneve është një e drejtë nacionale e jo një e drejtë europiane. Në këtë këndvështrim do të thotë që hyrja në BE e që të futesh në këtë ekonomi do të duhet të kesh kritere ekonomike, nivelin e lartë të rritjes, një pagë mesatare dhe më tej vjen pjesa e pensionit. Ajo ç’ka mund të ndikojë janë në praktikat e pensionit të 13-të i cili ofrohet kryesisht të qytetarët apo pjesa e subvencioneve në mbështetje të ndryshme. Por hyrja në BE nuk mendoj se do të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me skemën e pensioneve por me ekonominë e vendit. Pensioni, në këtë rast është një rrjedhojë indirekte e jo e drejtpërdrejtë.
Diskutime rreth kësaj post