Analisti Frrok Çupi ka akuzuar hapur dyshen Meta-Berisha se janë personat më të lumtur për ardhjen e talebanëve në pushtet dhe largimin e amerikanëve nga Afganistani.
Teksa u ka bërë një analizë zhvillimeve në Shqipëri dhe atyre që po ndodhin në Afganistan, analisti Çupi shprehet në rrjetet sociale se presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë dy politikanët që duan eklipsimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij, ata shihen nga Uashingtoni si të korruptuar dhe të padëshiruar.
Madje, zoti Çupi theksoi se rënia e SHBA në Afganistan ka kënaqur dhe bashkëpunëtorët e Metës dhe Berishës në radhët e opozitës e miqësisë që shkaktuan tragjedinë e “Gërdecit”, “21 Janarit” dhe i shpallën luftë reformës në drejtësi.
“Amerika u mund në Afganistan. Të paktën kështu e quajnë këta këtu. Cilët janë “këta këtu”? Këta janë në disa kategori: Kategoria e “pushtetit të vjetër” që vetëquhet opozitë; kategoria e atyre që vranë protestuesit dhe dogjën dhjetëra njerëz në fabrikat e fishekëve- biznese të familjes së qeveritarëve; kategoria e atyre që luftuan me thikë ndër dhëmbë kundër reformës në drejtësi. Është edhe një kategori e veçantë: Kategoria e dy presidentëve të Shqipërisë, njëri prej të cilit është shpallur “i padëshiruar”, “i korruptuar” dhe “minues i shtetit demokratik”; por që të dy nën llupën amerikane… Për këta ndriçoi ylli i mëngjesit në atë moment kur talebanët “rrëzuan” Amerikën. Kanë kaluar vetëm dy ditë, por këta nuk ndjehen: O festojnë dhe bëjnë plane “të mira” në fshehtësi; ose janë akoma të paqartë nëse kjo traumë botërore ishte “varkë” apo humnerë për ta”, – shkruan ai.
Më tej zoti Frrok Çupi thotë me ironi se Berisha dhe Meta mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës bien shpejt, nisur nga “lufta” që kjo dyshe i shpalli luftë Uashingtonit.
“Tani kthehesh e mendon ditët e kaluara dhe zbulon një gjë: Këta e paskan ditur se Amerika “bie” shpejt. Kjo qenka arsyeja pse ish-presidenti Berisha luajti me karshillëk të madh kundër Uashingtonit dhe pse presidenti Meta sfidon Amerikën e i thotë “raketa ka edhe Moska”. Ndërkohë Amerika u ndodh para faktit në tre ditët e fundit”, – u shpreh ai.
Meta-Berisha sytë nga Lindja dhe Moska
Por nuk ndalet me kaq, pasi analisti Frrok Çupi ka shkuar edhe më tej, teksa zbuloi se duke qenë se dyshja Meta-Berisha janë të korruptuar, nuk përjashtohet mundësia që nëse e shikojnë veten në rrezik do trokasin në dyert e Moskës.
Sipas tij, Meta dhe Berisha janë antiamerikanë dhe për rrjedhojë i kanë kthyer sytë nga lindja.
“Deri tani presidenti Meta nuk po ndihet; thjesht po vë re se Rusia, Kina dhe Irani po bashkëpunojnë me talebanët. Ky dhe Berisha e shikojnë se Perëndimi ra e nuk e çmojnë më. Këta janë përfolur për “një sy andej nga Moska” dhe mund të arratisen në Lindje. Aplikohet apo nuk aplikohet “rendi i ri”, pak rëndësi ka, tani që ra Perëndimi, këta do të trokasin në dyert e miqve të talebanëve. Kështu bëjnë të korruptuarit e mëdhenj, menjëherë tradhtojnë popullin dhe aleatët”, – nënvizoi Çupi.
Diskutime rreth kësaj post