Politikanë dhe analistë kanë reaguar dje sa i takon intervistës së dhënë nga ish-kryeministri Fatos Nano dy ditë më parë, ndërsa kanë dhënë këndvështrime të ndryshme për këtë dalje të liderit historik të Partisë Socialiste, pas dhjetë vitesh në ekran. Ish-kryeministri Nano deklaroi se Ilir Meta është politikani i vetëm që mbart 7 mëkatet, ndërsa Berishën e akuzoi se është “kafshë” politike, i ka marrë vitet më të bukura të jetës kur e burgosi dhe i ka vrarë nënën.
Por në lidhje me këto deklarata, dje ka reaguar në rrjetet sociale edhe analisti Frrok Çupi. Sipas Çupit gjatë gjithë kohës Nano dha mesazhin e koduar që njerëzit duhet të jenë vigjilentë ndaj asaj se çfarë po ndodh në vendin tonë.
Deklarata e Çupit:
“Fatos Nano, i ka parë të gjitha rreziqet e burgosjes dhe të ekzekutimit (te vetja a te shokët), njësoj si Fucik, dhe prandaj tha atë që tha dje. Jemi prapë në një pikë të vrullshme: Nga njëra anë vrullon puna ndërtimtare e njerëzve normalë, e në anën tjetër po vrullon histerizmi i atyre që e kanë djegur vendin dy a tre herë, që ia kanë zhytur pronën dhe Drejtësinë, që ia kanë tharë shpirtin, siç tha vetë Nano, me “shtatë mëkatet më të mëdha të Biblës”.
Këtu, sapo hyri viti 2011 u shkatërruar gjithë ekonomia e ndërtuar për katër dekada; këtu u ndërtua ligji më konfliktual i botës mbi pronën (7501), këtu u ngrit drejtësia e plepave me servilë, xhahilë dhe injorantë; këtu shteti hyri në krimin e kontrabandës; pastaj në krimin e vrasjes së kundërshtarëve; pastaj plaçkiti djersën e njerëzve përmes skemave piramidale; pastaj ndezi luftën mes individëve dhe mes krahinave ku u vranë e u zhdukën mijëra brenda vitit; u pushtuan zyrat qeveritare dhe u bënë grushte shteti si në Burma dhe u instalua herë pas here terrorizmi politik; qeveria u kap në korrupsion të hapur dhe pas kësaj qeveria vrau protestuesit kundër korrupsionit; 26 të pafajshëm në Gërdec u dogjën si në ferr nga qeveria e korruptuar; këtu u sulmuan me armë institucionet e shtetit dhe paqja e njerëzve; këtu u bënë “tramte” me të huajt duke i falur territore nga atdheu për disa privilegje politike, këtu në post-diktaturë u bë e keqja që mbuloi diktaturën e parë”, shkruan Çupi.
Ndërsa nga ana tjetër analisti Agron Gjekmarkaj, i ftuar dje në një studio televizive, duke folur për intervistën e ish-kryeministrit socialist Fatos Nano, deklaroi se lideri historik i PS-së po përdoret nga Edi Rama. “Fatos Nano i bie që ka ardhur për t’u përdorur dhe për të hyrë në skenën politike të kryeministrit aktual, goditi Berishën dhe Metën”, deklaroi Gjekmarkaj.
Diskutime rreth kësaj post