Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nga aktiviteti për mbrojtjen e territorit tha se krimet mbi territor duhet që të jenë prioritet i njëjtë me luftën kundër korrupsionit. Ai theksoi se çdo person, i cili do të shkelë ligjin do të përballet me pasojat. Ai theksoi se asnjë nuk do të tolerohet, ndërsa bëri me dije se do të shtohen më shumë kontrollet në vazhdim.
“Të gjithë ata dhunues që nga veriu i Shqipërisë dhe deri në skajin më jugor të Shqipërisë, që do përballen me forcën e ligjit si asnjëherë tjetër. Ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm, kushdo qoftë, sado i pasur, sado i mbrojtur që mendon se do jetë. Nuk do tolerohet më dhunë mbi territorin. Dhe po ju kujtoj që shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtime pa leje. Dhe po ju them dhe njëherë, dëgjojeni, fiksojeni mirë këtë gjë, sepse nuk do ketë më tolerim, sidomos në periudha të tilla”, theksoi Çuçi.
Ndër të tjera, ai u shpreh se policia është ajo, e cila do të bëjë të mundur shtimin e kontrolleve. Çuçi tha se policia do të kontrollojë çdo cep të territorit për të mos lejuar shkeljet.
“Tashmë ka ardhur koha që Policia duhet konsideruar një e vetme. Në kuptimin e vendosjes së kontrollit mbi territorin. E gjithë përgjegjësia për çdo lloj vepre penale që ndodh në territor duhet të jetë dhe do ta ketë siç e ka në fakt me ndryshimet ligjore që kemi bërë dhe ndryshimet strukturore organizative që kemi bërë, por duhet ta ketë dhe në realitet tashmë, Policia e Shtetit. Policia e Shtetit duhet të kontrollojë çdo centimetër të territorit të Shqipërisë. Dhe duhet të krijojmë ekipe të përhershme të përbashkëta, midis punonjësit që ka në ngarkim një territor të caktuar të Republikës së Shqipërisë, me inspektorin që përgjigjet për ndërtimet pa leje, me inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e mjedisit, me inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e pyjeve”, tha ai.
Çuçi u shpreh se, ende nuk është bërë mjaftueshëm sa i përket koordinimit të strukturave lidhur me ndërtimet e paligjshme.
“Është bërë tashmë një kohë jo e shkurtër që e gjithë struktura që përgjigjet për mbrojtjen e territorit nga dhe ndërtimet e paligjshme dhe të gjithë strukturat ligjzbatuese dhe agjencitë që merren me mbrojtjen e mjedisit kanë kaluar nën ombrellën e Ministrisë së Brendshme. Dhe pavarësisht kësaj kohe mendoj që akoma nuk kemi bërë atë që duhet për sa i takon koordinimit që duhet të kenë të gjitha këto struktura. E parë kjo në rezultatet e deritanishme”, tha Çuçi.
Diskutime rreth kësaj post