Ministrja Ogerta Manastirliu në një mesazh drejtuar qytetarëve tha se ka filluar përgatitja për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime.
Manastirliu ka theksuar se puna për përballimin e epidemisë po vijon dhe nuk është ndalur për asnjë moment prej më shumë se 140 ditësh me të gjitha kapacitetet e sistemin shëndetësor, nga epidemiologët në terren deri tek mjekët dhe infermierët që po përballen në vijën e parë me COVID-19.
“Puna jonë nuk po ndalet në asnjë moment. Jemi në shërbimin tuaj me të gjitha kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor. Një punë e madhe po bëhët në terren nga epidemiologët për testimin dhe gjurmimin e personave të dyshuar me Covid-19, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Stafi i Urgjencës Kombëtare është 24 orë të ditës i dedikuar për të pritur thirrje dhe për të çuar misionet e shpëtimit nëpërmjet numrit 127. Dhe është në terren për të adresuar çdo urgjencës me kohë dhe me cilësi. Një betejë e gjatë ka filluar prej më shumë se 140 ditësh në spitalin infektiv dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Dhe puna e ekipeve heroike, të mjekëve dhe infermierëve tanë po shpëton me qindra jetë njerëzish. Mjekët e familjes gjithashtu janë duke ndjekur shëndetin e mbi 1 mijë qytetarëve të prekur nga Covid19”, – tha Manastirliu.
Në mesazhin e saj, Ministrja e Shëndetësisë tha se është gati plani për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, që nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare dhe deri tek trajtimi mjekësor i pacientëve me Covid19.
“Ne po përgatitemi për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime. Nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare tek skuadrat e dedikuara të mjekëve dhe infermierëve për spitalet Covid3 dhe Covid4, tek fuqizimi i kapaciteteve të spitaleve rajonale, nga rritja e kapaciteteve testuese tek vaksinimi i grupeve të riskuara, nga parandalimi i kontrollit të infeksioneve tek masat për vijimin e trajtimeve bashkëkohore të pacientëve me Covid19”, – tha Manastirliu.
Diskutime rreth kësaj post