Në Shqipëri rastet e reja me koronavirus shënuan një rritje të ndjeshme javën e fundit duke shkuar në 916 të infektuar, kundrejt 740 të personave të prekur të një jave më parë, ose gati 20 përqind më shumë. Mesatarja ditore ka qenë afro 131 raste. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë u konfirmuan 125 të infektuar, duke e çuar në 6536 totalin e të prekurve që nga fillimi i pandemisë. Prej tyre 1263 raste u rregjistruan në 3 muajt e parë deri më 9 qershor.
Në një numër më të lartë, gjatë javës që shkoi, ishin dhe testimet, 3791 të tilla, ose 9 përqind më shumë, duke dëshmuar njëkohësisht dhe një pozitivitet (përqindja mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) po ështu në rritje, në kuotën e 24.1 përqind.
I pandryshuar ka mbetur numri i viktimave, me 28 persona që janë ndarë nga jeta, gjatë javës së shkuar, përfshirë dhe 55 vjeçaren nga Vlora që humbi jetën në 24 orët e fundit. Në total numri i viktimave shkoi në 200.
Të dhënat e bëra të ditur të hënën pasdite nga Ministria e Shëndetësisë dëshmojnë se “incidenca e sëmundjes COVID-19 në Shqipëri, deri në javën që lamë pas, është 214.9 raste për 100 000 banorë. Në nivel qarku, incidenca më e lartë është në Tiranë e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra, ndërsa qarku me incidencën më të ulët është Elbasani”. Tirana, Durrësi dhe Shkodra janë aktualisht qytetet që kanë dhe numrin më të lartë të rasteve aktive: 1627 në kryeytet, 366 në Durrës dhe 254 në Shkodër. Aktualisht në të gjithë vendin janë 2957 persona ende aktivë.
Deri më tani, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë “mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 47 vjeç. Grupmosha 55-64 vjeç zë përqindjen më të lartë të të prekurve me 19.7 përqind të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18.5 përqind të rasteve të konfirmuara.”
Situata mbetet kritike në të dy spitalet ku po trajtohen të sëmurët. Deri të hënën pasdite ishin 122 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, nga të cilët 16 pacientë janë në terapi intensive ndërsa 3 të tjerë të intubuar. Ndërkohë, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe një numër i lartë pacientësh të dyshuar./ VOA
Diskutime rreth kësaj post