Ka kaluar një vit dhe ne nuk po flasim rusisht, nuk jemi në luftë me Korenë e Veriut apo Iranin. Nuk kemi ndryshuar marrëdhëniet tregtare me Kinën. Populistët e djathtë si Nigel Farage apo Marine Le Pen janë edhe më pak të rëndësishëm nga sa ishin në fillim të vitit 2017.
Por prap, pas një viti në pushtet, i gjithë Perëndimi ka një pyetje: çfarë dëshiron Donald Trump?
Botëa u paralajmërua se epoka e madhe e ndrydhjes amerikane po vinte, se SHBA-ja ishte lodhur nga mënyra si po përfitohej prej saj, se SHBA-ja ishte lodhur duke mbrojtur, këtu po citojmë fjalimin inaugurues të Trump, “kufijtë e kombeve të tjera teksa refuzojmë të mbrojmë tonin”.
Megjithatë, rezultoi se e vërteta ishtë më e komplikuar. Pas një viti mesazhesh në Twitter dhe kthesash të papritura, ende nuk është e qartë se ku qëndron realisht politika e jashtme e Trump.
Le të fillojmë me Iranin. Trump tha se donte të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore. Presidenti u shpreh se ajo ishte “një nga marrëveshjet më të këqija” që ai kishte parë ndonjëherë. Megjithatë, deri tani ai është tërhequr dy herë nga vendimi për të shtuar sanksionet lidhur me marrëveshjen.
Qëllimi është të përshkallëzohet presioni mbi Teheranin nëpërmjet sanksioneve të tjera dhe të binden aleatët Europianë për të bërë vetëm lëshime të veçanta nën një “marrëveshje plotësuese”.
Por, edhe pas një viti, marrëveshja me Iranin ka mbetur e paprekur, nënshkruesit e saj europianë i qëndrojnë firmave që kanë vënë në marrëveshje, dhe retorika gjithnjë e më pak kërcënuese e Trump nuk përmban veprim. Ka zhurmë, por shumë pak ndryshim real.
Trump kishte shpresuar për një marrëveshje përfundimtare në Lindjen e Mesme. Megjithatë, kjo detyrë i është dhënë dhëndrit të tij që t’a negociojë privatisht. Palestinezët janë ofenduar publikisht nga SHBA, e cila njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Kjo ishte diçka që Trump premtoi të bënte kur ishte në fushatë, megjithatë ai nuk e përdori këtë vendim si mënyrë për t’a bërë qeverinë e Izraelit t’i bindet, për shembull për të frenuar ndërtimet e tyre në zonat palestineze.
Palestinezët duket se nuk duan t’a dëgjojnë më SHBA-në në procesin e paqes. Por, duke qenë se procesi i paqes ishte deri diku i marrë fund kur Trump mori detyrën, vendimi për Jeruzalemin nuk është se ktheu përmbys gjithçka. Jemi pak a shumë aty ku ishim, thjesht imazhi i SHBA-ve ka marrë një goditje tepër të rëndë.
Azia po shfaq sfidën më të papritur. Bisedimet e tanishme mes dy Koreve përpara Lojërave Olimpike dimërore po zhvillohen pa SHBA-në në tryezë.
Donald Trump thotë se retorika e tij e ashpër ushtarake plot “zjarr dhe tërbim” detyroi Korenë e Veriut të ulet në bisedime. Por, Koreja e Veriut është ulur në bisedime me aleatët e SHBA-së pa u detyruar të heqë dorë nga asgjë. Fitore e madhe?
Presidenti amerikan ka premtuar se do t’a zgjidhë këtë problem, por ne nuk e dimë se në çfarë mënyre, pasi opsionet ushtarake janë shumë të frikshme. Pas Olimpiadës mund të përfundojmë me një veri luftarak që mendon se mund të vendosë vetë se kur duhen zhvilluar bisedime, në vend që të bëjë lëshime për këtë mundësi.
Me Kinën, manjati i pasurive të paluajtshme që dikur shkruante se “ne duhet të bëhemi të ashpër me Kinën para se ajo të na shkatërrojë”, tani u kënaq me Presidentin Xi Jinping në Qytetin e Ndaluar, dhe herë pas herë i është lutur haptazi që Kina të ushtrojë më shumë presion mbi Korenë e Veriut.
Marrëdhëniet me Kinën janë pragmatike dhe komplekse, por jo shumë të ndryshme nga çfarë kanë qenë në vitet e Obamës.
Ka dy vende ku administrata Trump ka deklaruar një politikë specifike dhe po e zotëron.
Fillimisht, është deklarata e fundit e Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, i cili numëroi pesë pikat kryesore që duhen plotësuar që Shtetet e Bashkuara të mos qëndrojnë më ushtarakisht në Siri.
Është shumë e vështirë që këto pika të plotësohen, pasi numërohen një sërë arsyesh që mund të bëjnë që një pjesë e trupave amerikane në veriun e Sirisë të qëndrojnë atje për disa muaj, për të mos thënë disa vite.
Është pikërisht e kundërta e asaj që aleatët e amerikanëve kishin frikë se një Shtëpi e Bardhë e lodhur dhe e ndrydhur do të bënte; të fuste forcat amerikane për një kohë të gjatë në një luftë që administrata e Obamës u mundua t’a shmangte. Por, gjithësesi ky vendim nuk është një ndryshim i madh, pasi ato trupa aty ishin kur Trump mori detyrën.
Në Afganistan, Trump artikuloi vetë një “strategji fituese”, por që edhe kjo nuk ndryshon shumë nga 16 vitet e politikave përpara tij.
Këtu shohim angazhim dhe një shtysë që po i jepet luftës, por kjo nuk është një qasje e re. Po u kërkohet ndihmë edhe aleatëve të NATO-s.
Pra, akoma na ka mbetur të gjejmë se çfarë ka ndryshuar vërtetë në anën tjetër të Atlantikut. Përgjigja është shumë pak. Ka shumë tërbim dhe tym, por shumë pak zjarr. (shprehje që i referohet deklaratës së Trump ndaj Koresë së Veriut, fire and fury; në shqip: zjarr dhe tërbim)
Trump shpesh sillet si i zemëruar kur vjen puna tek sfidat e politikës së jashtme. Por, veprimet që ndjekin këtë zemërim nuk janë të tilla.
Është ngushëlluese për tifozët e angazhimit amerikan që SHBA nuk po tërhiqet me shpejtësi nga Atlantiku, sikurse kishte deklaruar edhe ish-strategu kryesor i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon.
Megjithatë, këta tifozë nuk duhet të fillojnë të dredhin zinxhirin. Shtëpia e Bardhë e Donald Trump ende nuk ka përjetuar një sfidë vërtetë të papritur përtej kufijve. Dhe Shtëpia e Bardhë e miliarderit ende nuk është përballur me zgjedhje të vërteta politike që përputhen me zjarrin e postimeve që ai bën në Twitter.
CNN, përshtati në shqip LAPSI.AL
Diskutime rreth kësaj post