Këtë vit fermerët shqiptar nuk po e shesin dot grurin as me gjysmën e çmimit të vitit të shkuar. Nga 55 lekë për kilogramë, sot çmimi i grurit nuk e kalon vlerën 26 lekë për kilogramë. Ky çmim për përpunuesit e grurit është i pranueshëm pasi tregjet ndërkombëtare kanë sasi të bollshme të grurit dhe konkurrueshmëria është e lartë.
“Direkt pas korrjes ka një ngërç në gjithë tregun e grurit botëror. Deri në shtator oferta është më e madhe se kërkesa se sasia e grurit që prodhohet në të gjithë botën nuk arrin të magazinohet. Merret në Itali, Francë, Ukrainë, Rusi, Serbia pak. Sot po shkarkohet në Durrës. Gruri nga Europa dhe këto zona vjen me 260 dollarë toni”, deklaroi kreu i Unionit të Prodhuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri për A2 CNN.
Çmimet e viti të kaluar vështirë se kthehen. Prodhuesit botërorë dhe evropianë rritën sipërfaqet e mbjelljes së grurit për shkak të rrezikut nga konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Jemi mësuar keq me çmimin e viti të kaluar vjet. Çmimi vjet ishte i lartë si pasojë e krizës dhe prishjes së zinxhirit të furnizimit. Këtë vit jemi në situatë tjetër. SHBA, Kanada, Indi, Kinë e kanë rritur prodhimin e grurit për të ekuilibruar mungesën që shkaktoi viti i kaluar. Rritja e prodhimit dhe riorganizimi i tregjeve ka bërë që tregu të funksionojë normalisht dhe çmimi të shkojë aty ku duhet të jetë edhe këtë vit çmimi është më i lartë se në vitin 32021 para krizës”, shprehet eksperti i bujqësisë Shkëlzen Marku.
Në këto kushte, fermeri shqiptar nuk mund të konkurrojë me sasi, por mund ta ruajë prodhimin e tij për ta shitur në vjeshtë.
“Qeveria ka marrë masa përmes subvencionit për të mbështetur fermerët që mbjellin grurë, por subvencioni nuk përmirëson konkurrueshmërinë e fermave. Është një lloj si serumi për të sëmurin që nuk e shëron, përmirëson situatën e ushqyerjes në një moment. Kurimi gjendet te përmirësimi i infrastrukturës së fermës dhe kapaciteteve të përpunimit dhe ruajtjes pas vjeljes”, sugjeroi Marku.
I vështirë parashikohet edhe viti 2024, ku pritet që gruri të ketë një tjetër rënie të çmimit në tregjet ndërkombëtare.
Diskutime rreth kësaj post