Revista ekonomike Monitor ka bërë një studim të tregut të televizioneve në vend, kryesisht ata kryesorë. Në studimin e bërë, duket se një vend të veçantë kanë zënë edhe çmimet për sekondë që paguhen për reklama në televizionet kryesore të Shqipërisë.
Siç shkruan Monitor, ‘jo pa qëllim tërheqja e audiencës dhe ruajtja e një pozicioni të fortë në treg kërkohet nga televizionet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo sigurisht përkthehet në të ardhura më të mira në portofolin e tyre nga buxhetet e marketingut që dedikojnë bizneset’.
Për vitin 2017, televizionet duket se kanë bërë pak ndryshime në tarifat që aplikojnë për reklamat që transmetohen para programeve të caktuara, apo në mes të programit.
Top Channel për janar-dhjetor 2017 ka vendosur të mbajë pak a shumë të njëjtat tarifa për publicitetin me dy përjashtime. Transmetimi i një reklame para ‘Procesit Sportiv’ është 1150 lekë/s më lirë sesa një vit më parë.
Tek Klan, tarifat që aplikohen për reklamat kanë ndryshime të vogla në total 4, nëse krahasimin e bëjmë me ofertën e 2017 dhe 2016.
Reklamimi para ‘Aldo Morning Show’ kushton gjatë këtij viti 1 euro më shumë për çdo sekondë duke e çuar tarifën finale në 8 euro/sekonda. Për ndërprerjet publicitare gjatë emisioneve, rritje të tarifës kanë pasur emisioni ‘Opinion’, ‘Zonë e Lirë’, ‘Xing me Ermalin’, etj.
Vizion Plus ka të njëjtën panoramë sikurse edhe dy televizionet e tjera. Tarifat e saj për 2017 lidhur me reklamat nuk kanë ndryshuar. Më shtrenjtë edhe këtu kushton argëtimi ku tarifa më e kripur është për emisionin ‘Dancing with the Stars’ me një vlerë 7700 lekë/sek, kurse ‘Al Pazar’ dhe ‘Apartamenti 2XL’ aplikojnë një tarifë 6600 lekë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjeve./Monitor/
Diskutime rreth kësaj post