“S’ka qira më poshtë 350 euro”, thotë eksperti i pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu.
Ky është normaliteti i ri në tregun e pasurive të paluajtshme, ku çmimet e qirave edhe në periferi të Tiranës, kanë kapërcyer në 300 euro.
Banka e Shqipërisë thotë se ky trend rritës nuk pritet të ndalet.
70% e agjencive imobilare pjesë e një anketimi të bërë nga banka qendrore, thonë se çmimet do të jenë të qëndrueshme, 26% pohojnë se do të rriten dhe vetëm 4% presin ulje.
“Çmimet e apartamenteve që vazhdojnë të rriten normalisht vjen si pasojë e kërkesave që ka. Tirana dhe bregdeti kanë shumë kërkesa për blerje. Kostot po rriten çdo ditë, vuajnë realisht shumë mungesën e fuqisë punëtore ndërtuesit. Ato po paguajnë më shumë për fuqinë punëtore dhe është normale që do të përkthehet në çmim”, thotë eksperti.
Superitja rreth qendrës së Tiranës me 29%, po orienton tregun në zonat periferike, ku dhe atje çmimet janë të larta.
“Është normale që të rriten çmimet në periferi, pasi kush e ka të pamundur të blejë në qendër sigurisht do t’i drejtohet periferisë. Për këtë arsye ka një rritje të madhe kohët e fundit”, tha Demirxhiu.
Ajo çfarë ka bërë diferencën në 6 muajt e parë të këtij viti, ka të bëjë edhe me blerjet e larta nga atë huajt. Banka e Shqipërisë thotë se 14% e pronave të shitura janë blerë nga të huajt.
“Apartamentet i blejnë të gjithë. Blejnë shqiptarët nga gjithë vendi, blejnë shumë të huajit, për investime, e shikojnë si një treg me potencial. Ndoshta për ne çmimet janë të larta por për një gjerman, polak apo italian është një treg i favorshëm”, tha Demirxhiu.
Në rang vendi çmimet e apartamenteve janë rritur me 11.6%, dhe si pasojë e këtij shtrenjtimi 40% e pronave janë blerë me kredi bankare.
Diskutime rreth kësaj post