Përkundër entuziazmit dhe shpresës se do të ketë lëvizje pozitive në atmosferë gjatë gjysmës së dytë të muajit Nëntor (një gjë të tillë indikonin edhe modelet globale numerike, kompjuterike për parashikim të motit) siç duket ecuritë më të fundit sinoptike nuk na premtojnë asgjë në një të ardhme të afërt. Do të vazhdojë dominimi pothuajse i plotë i masave ajrore të thata anticiklonike me origjinë nga Azoret në Oqeanin Atlantik.
Përkundër lëvizjeve “kaotike” të modeleve dhe shenjave të qarta, prapëseprapë ky Nëntor mund të regjistrohet si një ndër Nëntorët më të thatë në rajonin tonë. Vetëm nëse kemi ndonjë ndryshim të papritur në fund të muajit.
Megjithatë, herë pas here do të kemi depërtime të masave të ftohta ajrore me origjinë polare dhe siberike të cilat do të na bëjnë me dije se dimri është shumë afër. Këto masa të ftohta ajrore do të jenë kryesisht të thata dhe nuk do të zgjasin shumë, pra do të kemi ndryshime të shpeshta të temperaturave me reshje simbolike. Temperaturat minimale mëngjesin e së dielës pritet të ulën deri në -6 gradë Celsius, ndërsa në vise malore ato mund të ulën deri në -8 gradë Celsius.
Cikloni i fuqishëm i cili do të krijohet afër Italisë do të sjellë reshje të fuqishme shiu në Italinë dhe disa shtete të Afrikës Veriore, veçanërisht në Libi, Tunis dhe Algjeri, e pastaj edhe në drejtim të Egjiptit dhe shteteve të Lindjes së Mesme. Ky ciklon do të jetë pak larg për të arritur tek ne sepse do të pengohet nga anticikloni i fuqishëm në Evropen Kontinentale dhe nga Afrika Veriore dhe Italia do të vazhdojë rrugën e tij në drejtim të Mesdheut lindor dhe Lindjes së Afërt dhe të Mesme.
Sidoqoftë, gjatë fundjavës në drejtim të rajonit tonë do të vijë një front i ftohtë nga veriu në kuadër të këtij cikloni mesdhetar i cili do të na sjellë ulje të temperaturave dhe reshje sporadike bore kryesisht në viset kodrinore-malore./Meteoballkan
Diskutime rreth kësaj post