Në një deklaratë për shtyp, sekretari për Çështjet Ligjore të PD, Çlirim Gjata deklaroj se të enjten në Kuvend do të miratohet ligji i ndryshuar për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të cilën e konsideron si barrierën e fundit të kapjes së saj.
Gjata thotë se ndryshimi që do të bëhet në procedurën e betimit është goditje ndaj Kushtetutës pasi nëse Presidenti do e refuzojë atëhere kërkesa për betim do të behet me postë. Ai shton se zgjidhje ka pasi kur ka konflikt shkohet në Gjykatën Kushtetuese por edhe atë Rama e ka lënë jashtëfunksionit për interesat e tij.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA
Edi Rama ka parashikuar të kryejë të enjten një goditje të rëndë ndaj reformës në drejtësi dhe Kushtetutës së vendit, me qëllim heqjen e çdo pengese ligjore për planet e tij për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Kontrolli prej tij i gjykatës që do të gjykojë vlefshmërinë apo jo të votimeve moniste të 30 qershorit, e ka detyruar Edi Ramën të deformojë akoma më shumë reformën në drejtësi.
Interesi politik i kryeministrit ilegjitim që po uzurpon çdo pushtet në vend është zhvlerësimi i procedurave kushtetuese që pengojnë emërimin në mënyrë të paligjshme të shërbëtorëve të tij në Gjykatën Kushtetuese. Me këtë qëllim, Edi Rama synon të ndryshojë ligjin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me betimin e anëtareve të saj.
Pasi dështoi me skemën për të imponuar emërime të paligjshme në këtë gjykatë, Edi Rama po tenton të ndryshojë procedurën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shërbëtorët e tij në drejtësi nuk do të shkojnë më të bëjnë betimin para noterit, siç ndodhi pak javë më parë, por do ta bëjnë atë me postë, përmes një deklarate e shkrim.
Ky akt shkon kundër interesit të qytetarëve shqiptarë, të cilët duan një drejtësi të pavarur, duan një gjykatë kushtetuese që mbron interesin publik dhe jo interesin privat të politikanëve dhe kryeministrit të vendit.
Mbi të gjitha, akti i Edi Ramës është një goditje kundër Kushtetuës dhe shtetit ligjor, pasi në neni 129 i Kushtetutës sanksionon në mënyrë të qartë dhe urdhëruese se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.” Kushtetuta nuk lejon asnjë lloj procedure tjetër betimi, as me noterët, as me postierët e Edi Ramës.
Kushtetuta e Shqipërisë e ka dhënë vetë zgjidhjen. Në rast konflikti shkohet në Gjykatën Kushtetuese. Por 4 vjet pas miratimit me konsensus të ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi, Gjykata Kushtetuese akoma nuk është funksionale, sepse Edi Rama e ka zvarritur për të bërë këtë që ka planifikuar të enjten- të marrë kontrollin politik edhe të gjykatës më të lartë të vendit.
Për Partinë Demokratike ky është një akt i dënueshëm, që shkon kundër aspiratës së shqiptarëve për një shtet ligjor, që funksionon me standardet më të mira europiane dhe për një drjetësi që të barabartë për çdo qytetar.
Diskutime rreth kësaj post