Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të kufizojnë mbështetjen ushtarake në favor të fushatës ajrore të Arabisë Saudite në Jemen, për shkak të shqetësimeve në rritje mbi numrin e shtuar të civilëve të vrarë atje, si dhe do të ndalin një shitje të planifikuar armësh ndaj mbretërisë arabe.
Sipas zyrtarëve amerikanë që kanë folur për “Reuters”, Shtetet e Bashkuara do të riorganizojnë trajnimet e ardhshme të Forcave Ajrore arabe, duke u fokusuar në përmirësimin e paktikave të shënjestrimit nga sauditët, një burim i vazhdueshëm shqetësimi për Uashingtonin.
Vendimi reflekton irritimin e thellë brenda qeverië së presidentit Barack Obama mbi paktikat e Arabisë Saudite në luftën 20-mujore të Jemenit, gjatë së cilës kanë vdekur mbi 10 mijë njerëz dhe është shkaktuar një krizë humanitare, përfshi këtu mungesën kronike të ushqimeve, në vendin më të varfër të Lindjes së Mesme.
Gjithashtu, ky hap pritet të tendosë edhe më tej marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Rijadit në ditët e mbetura të administratës “Obama” dhe të vendosë në dyshim marrëdhëniet saudito-amerikane pikërisht përpara administratës së re të presidentit të zgjedhur Donald Trump, që merr detyrën më 20 janar.
Një koalicion ushtarak i udhëhequr prej sauditëve ndërhyri në luftën civile të Jemeni në mars të vitit 2015, e prej atëherë ka kryer me mijëra sulme ajrore kundër lëvizjes “Houthi”, aleatë të Iranit.
Grupet e të drejtave të njëriut thonë se sulmet mbi klinika, shkolla, tregje dhe ndërmarrje të ndryshme mund të përbëjnë edhe krime lufte. Arabia Saudite nuk i ka mohuar sulmet, por nuk ka cituar as praninë e luftëtarëve “Houthi” në zonat e shënjestruara, duke u mjaftuar me deklaratën se është përpjekur të reduktojë sa më shumë të mundet numrin e viktimave mes civilëve.
Një zyrtar i administratës “Obama”, i cili ka folur në kushte anonimati, tha se problemet “sistematike dhe endemike” në mënyrën sesi shënjestrojnë forcat ajrore të Arabisë kanë detyruar Shtetet e Bashkuara të ndalojnë shitjet e armatimeve në të ardhmen, përfshi këtu municionet e precizionit të lartë.
Diskutime rreth kësaj post