Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar reflektim nga Qeveria pas deklaratave të ish-presidentit amerikan Bill Clinton nga Tirana. Ish-Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Clinton tha në Tiranë se tensioneve në veri të Kosovës duhet t’i jepet fund, dhe të ndalen ato marrëzi, sepse asnjë çështje e madhe politike nuk përparon duke patur tension.
Çitaku duke komentuar deklaratën e ish-presidentit të ShBA-së, Bill Clinton, i cili nga vizita e tij e sotme në Tiranë, foli edhe për situatën në veri të Kosovës.
Clinton, kërkoi që t’i jepet zgjidhje situatës në veri të Kosovës, të cilën e cilësoi si “marrëzi”.
E sipas Çitakut, është momenti i fundit “që ta ndalim trenin e marrëzisë”.
Prandaj, ajo u tha se mesazhet e Clintonit duhet të merren seriozisht.
“Mesazhet e Presidentit Clinton në Tiranë duhet marrë seriozisht. Këmbana e fundit për ne. E Kosova nuk ka pasur kurrë mbështetës më të madh se Presidenti Clinton”, shkroi ajo në Facebook.
I ftuar nga qeveria shqiptare, ish Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Klinton, u prit me nderime në Tiranë, ku mori medaljen e “Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike”, si një vlerësim për ndihmesën e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri, si dhe rolin e tij të veçantë në ndalimin e dhunës serbe në Kosovë në vitin 1999.
Në ceremoninë e mbajtur në shëtitoren Dëshmorët e Kombit kryeministri Edi Rama e prezantoi zotin Klinton me një grup fëmijësh dhe të rinjsh nga Kosova, që mbanin emrin e tij, të lindur pas luftimeve të vitit 1999.
Ai theksoi se si gjatë këtyre dy dekadave ishte vazhdimisht i rrethuar nga mirënjohja dhe dashuria e shqiptarëve kudo në botë për vendimet, që u morën kundër dhunës serbe në Kosovë.
“Për mua kjo nuk është thjesht një ditë kur kryeministri dhe populli shqiptar i dhanë një njeriu, i cili nuk ka më pushtet politik dhe nuk është më i ri, një vlerësim për atë që bëri në mënyrë të drejtë shumë vite më parë për ju. Kjo është dita kur ritheksohet koncepti, që njerëzit marrin vendimet më të mira kur bëhen bashkë”, deklaroi Clinton.
Diskutime rreth kësaj post