Nga: Çim Peka
Takimi i djeshëm i Sali Berishës me mbështetësit e Partisë Demokratike të Elbasanit pati një risi që nuk e kemi parë këto 9 muajt e fundit, në harkun kohor të gati një viti, ai ka arritur politikisht dhe personalisht gjëra që asnjë nga ne nuk mund t’i mendonte.
U rikthye ne politike nëntë vjet pas largimit; nëntë vjet më i moshuar, por nëntë herë më i qartë për fatin e Partisë Demokratike, ia arriti që për nëntë muaj të prodhojë lajm; të tërheqë vëmendjen e opinionit publik më shumë se të gjithë faktorët së bashku.
Për herë të parë në më shumë se një dekadë, ai, dhe jo Edi Rama, përcaktoi tonalitetin politik të vendit.
Arriti të kthente përmbys situatën në Partinë Demokratike. Arriti që, akoma pa e marrë drejtimin e Opozitës, të detyronte Edi Ramën të mendonte seriozisht largimin për në Presidencë.
Por a mjaftojnë vetëm këto? JO.
Dje në Elbasan ai doli përtej Partisë Demokratike dhe ishte gjëja e duhur, sot nuk ka demokrat që nuk ka një opinion të vetin edhe për Lulzim Bashen, edhe për Edi Ramën, edhe për George Soros, edhe për Departamentin e Shtetit.
Nuk ka çfarë i bind më, për më tepër që këto janë tema të rrahura e stër-rrahura, që janë jo vetëm të vjetra, por pas gjithë kësaj kohe nuk ngjallin më interesin e publikut.
Nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është Edi Rama; se çfarë përfaqëson qeveria e tij; se kriminalizimi i shoqërisë nëpërmjet kultivimit të dorgës është një teori dhe projekt politiko-ekonomik i tij, edhe përsa i përket raportit të Ramës me Kosovën, rajonin dhe çështjen kombëtare, janë krejt të qartë.
Ajo për të cilën nuk janë të qartë shqiptarët, është alternative, deri dje pak është folur për alternativën.
Dje Sali Berisha e ndryshoi diskursin politik nga çështjet e brendshme të Partisë Demokratike dhe të këqijat e Edi Ramës, në tema që jo vetëm shkojnë përtej votuesit demokrat, por edhe në një model tjetër të të bërit opozitë jo vetëm nëpërmjet akuzave, por pikë së pari nëpërmjet alternativës.
Sali Berisha duhet që rikthimin e tij, ta shndërrojë në ‘kthim në të ardhmen’, dhe për këtë nuk i mjaftojnë militantët demokratë. për këtë duhet të shpalosë një diskurs të ri politik; një platformë të re opozitare; një alternativë serioze ndaj Edi Ramës; një Sali Berishë dhe Parti Demokratike që vjen nga e shkuara, jo për të risjellë të shkuarën, por për të ofruar të ardhmen.
Temat që preku dje, si demokracia; arsimi; ekonomia; emigracioni; familja; çështja kombëtare, janë çështje që nuk prekin vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët.
Sali Berisha mund të rikthehet duke mos u ricikluar, rrugë tjetër nuk ka, ai duhet t’i rikthehet qeverisjes së tij, dhe të identifikojë gjërat që nuk shkuan, ai nuk duhet të mjaftohet vetëm me rithemelimin e PD-së, por ai duhet të ri-shpikë veten, partinë, programin, ofertën, njerëzit.
Dje ai hodhi hapin e parë, por as kjo nuk mjafton.
Nga sot e tutje ai duhet t’u flasë votuesve jo-demokratë, ai duhet të prezantoje një ofertë politike-ekonomike-sociale për dekadën e ardhshme, dhe jo një kopje të dekadës së shkuar.
Oferta nuk është vetëm program, por edhe njerëz.
Duke mos mohuar kontributin e asnjërit prej atyre që i janë bashkangjitur lëvizjes së tij, ai duhet të shkojë përtej tyre, duhet të gërmojë dhe të gjejë të rinj e të reja po në ato familje demokrate dhe konservatore, por edhe përtej tyre.
Qeveria e Edi Ramës përveçse hajdute, është dhe qeveria më e paaftë në këto 3 dekada demokraci, kjo në kohën kur numri i shqiptarëve të shkolluar në Perëndim, dhe jo vetëm, është mbi 70 mijë, duhet të ofroje ata specialistë dhe ekspertë, të cilët nuk e shikojnë më të ardhmen e tyre në Shqipëri, por në emigracion.
Me staturën e tij, ai ka mundësinë dhe luksin ta shndërrojë Partinë Demokratike në magnetin e të rinjve, profesionistëve, specialistëve, dhe pse jo, ambiciozëve, vetëm ai ka mundësinë ta shndërrojë PD-në në tokën më pjellore të politikanëve të rinj, seriozë, ambiciozë dhe të ndershëm.
PD në këto tre dekada ka qenë më shumë lëvizje se parti, ka qenë konkurruese dhe fituese vetëm me Sali Berishën në krye të saj, pa të zbriti si parti e tretë. Misioni i fundit i Sali Berishës është që PD-në ta kthejë nga lëvizje, në parti.
E thënë më qartë, ta lërë një parti me fibër politike dhe lidership politik konkurrues e fitues edhe kur ai të mos jetë më, kur PD të kthehet nga lëvizje ne parti, mund të themi se kemi stabilizuar pluralizmin.
Diskutime rreth kësaj post