Nga Mero Baze
Komisioni Europian pritet të japë nesër rekomandim pozitiv për Këshillin Europian lidhur me hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Burime diplomatike në Bruksel bëjnë të ditur, se Komisioni ka përfunduar draftin e propozimit të tij pozitiv dhe ka rekomanduar hapjen e negociatave, me kusht që Shqipëria të zhbllokojë situatën rreth ligjit të “Vetingut”, i cili për shkak të vullnetit politik të PD, është sot i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.
Propozimet e Partisë Demokratike, që hapja e negociatave të bllokohet deri sa të përfundojnë zgjedhjet dhe “të zbatohet” ligji i dekriminalizimit, nuk janë marrë në konsideratë, përkundrazi, i vetmi kusht ka të bëjë me një akt politik të ndërmarrë nga PD kundër reformës në drejtësi.
Beteja e paprecedentë e opozitës për ta bllokuar procesin dhe për ta përdorur bllokimin si fitore elektorale, duket se ka dështuar. E vetmja “fitore” e delegacionit të opozitës, duket beteja kundër Majlinda Bregut, të vetmes deputete të opozitës, e cila këmbënguli që opozita të mos marrë atë vendim që mori.
Tani Lulzim Basha nuk ka shumë rrugë për të shpëtuar fytyrën para shqiptarëve.
Më e lehta është të përdorë faktin që ka pas Aldo Bumçin kryetar të delegacionit të opozitës dhe ta marrë lehtë këtë punë para shqiptarëve, duke thënë që “Aldua, kaq di, kaq bën”.
Nuk është se nuk do ta besojmë, por do ta kuptojmë që ka pasur një strategji, derisa ka caktuar një budalla në krye. D.m.th është përgatitur dhe për këtë ditë.
Një tjetër rrugë, bile ajo më klasikja e tij, është t’ia fusë një të duartrokitur nesër në mesditë dhe të thërrasë “Fitore”, “Fitore”, si në rastin e reformës në drejtësi, dhe t’u thotë shqiptarëve, “ja, doli e vërteta në shesh, Komisioni propozoi hapjen e negociatave dhe i kushtëzoi ato me ligjin e “Vetingut””.
Për këtë të fundit le të akuzojë Gjykatën Kushtetuese dhe të bëjë sikur ka harruar që e ka çuar vetë aty.
Biles për ta bërë dhe më bindëse çështjen, të dalë në Rinas dhe të fillojë përqafimet me delegacionin, duke përqafuar të parën Majlindën, që të tregojë se ajo ka qenë linja e PD. Të tjerët kanë vepruar me kokë të tyre!
Ndërsa më seriozja do të ishte të thoshte atë që ka ndodhur vërtetë. Që Sali Berisha imponoi tërësisht qëndrimin e PD, duke i dhënë zemër Lulzim Bashës ta kundërshtonte deri në fund zyrtarisht hapjen e negociatave në Bruksel, me shpresë se kështu do të fitonte pikë para shqiptarëve. Kjo së paku nuk do ndikonte në procesin europianizues të Shqipërisë, por në procesin europianizues të PD.
E dimë që kjo është pak e vështirë, por meqë e ka këshilluar ky Gjekmarkaj “ji vetvetja”, edhe mund ta bëjë këtë.
Në fakt ironi e fatit është se PD, është autosugjestionuar aq shumë nga ato që thotë vetë për qeverinë dhe Shqipërinë në selinë e saj, sa tani, kur Perëndimi zgjedh të jetë me Shqipërinë dhe kundër saj, i bie që të akuzojë BE për gjithë dështimet e saj si opozitë. Tani i bie që me rekomandimin pozitiv, BE të jetë përgjegjëse për çdo akuzë të PD kundër qeverisë, pasi ajo mes akuzave të PD dhe propozimeve të qeverisë, ka zgjedhur këto të fundit.
Në të vërtetë, PD ka zgjedhur të ndihmojë Shqipërinë, dhe ky është hapi i tretë i madh dhe i parafundit që Shqipëria po bën drejt vendit anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Partia Demokratike është bashkëautore dhe bashkëkontribuese në dy hapat e tjerë, në nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit dhe në marrjen e ftesës për vend kandidat për anëtar të Bashkimit Europian. Ndarja e saj nga ky proces në hapin e parafundit, nuk tregon asgjë të keqe për Shqipërinë, por për faktin se një plak i ikur, jo vetëm nga pushteti, por dhe nga mendja, mendon se do marrë me vete në varr Shqipërinë për shkak të motos së tij “pas meje qameti”. Aldon mund të marrë maksimumi!
Diskutime rreth kësaj post