Nga Sokol Balla
Referendumi socialist vjen një ditë para se Edi Rama të niset për Shtetet e Bashkuara në një vizitë kulmore të mandatit të tij si kryeministër. Aq i sigurt është Rama këto kohë, sa që i lejoi luksin vetes që të merrej me Donald Trump dhe të paralajmëronte ridimensionim të marëdhënieve nëse ai zgjidhej president.
Siguria e Ramës është një lajm i keq për Blushin dhe mbështetësit e tij, që sot të vetmen shpresë kanë tek shiu, për të mundur të intepretojnë mospjesëmarrjen dhe shifrat e saj, si përgjigje e thirrjes së tyre për bojkot të këtij procesi. Besoj se Blushi gaboi kur bëri thirrje për bojkot, pasi te shumë socialistë të mërzitur me Ramën dhe indiferencën e tij ndaj kërkesave të tyre materialiste, morën mesazhin se Blushi është njeri i fjalëve por jo i veprave. E vetmja që po lodhet më shumë se Blushi është Moza, rruga e të cilës në kundërshtinë ndaj Ramës, kalon më shumë nga ministria e transporteve sesa nga retorika tërheqëse e kritikave të Benit.
Por ky referendum është në fakt provokimi i sprasëm që Rama i bën Blushit, ose shtyrja e fundit në prag të derës për dalje të tij nga Selia Rozë (ose si dreqin e ka tani ngjyrën, Partia Socialiste). Pas ditës së sotme, ku parregullsitë janë më tepër pretendime të Mozës sesa ankesa të socialistëve që votojnë, pyetja e vërtetë së cilës duhet t’i përgjigjet Blushi në këtë referendum mes tij dhe vetes së tij është: a do të qëndrojë apo do të iki e krijojë një parti tjetër?
Eshtë pak por e sigurt, që mbështetësit e Ramës do ta shesin këtë rezultat me shumë si një refuzim ndaj Blushit ndaj të cilit kryeministri nuk ka fshehur një dozë arrogante bezdie dhe pezmi, refuzim që do të përdoret psikologjikisht si shtyrja drejt një hapi të fundit, ikjes nga PS. Por po ashtu, është pak por e sigurt, që në vlerësimin e hedhjes së këtij hapi, Blushi do të mbetet vetëm.
Ben Blushi duhet të vendosë nesër dhe vetëm, nëse do të qëndrojë apo do të krijojë një parti të re. Kundërshtarët dhe kritikët e tij mendojnë se Blushi nuk është i aftë për të hedhur këtë hap, kundërshtarët dhe kritikët e Ramës, më shumë ata brenda llojit, shpresojnë shumë që kjo të ndodhë. Fatmir Xhafa sot në mëngjes ju referua qëndrimeve të Blushit si opozitë brenda PS, dhe Xhafa si një njeri që nuk ka patur feeling asnjëherë me Ramën, por është alergjik ndaj gjithë armiqve të PS (lexo LSI), e përmblodhi këtë klimë me dy anë, brenda një fjalie. Dhe e vendosi kështu Blushin, një zë i moderuar, autokritik, cinik dhe elokuent, mes një zgjedhjeve që i ngjan ecjes mitologjike mes Shillës dhe Karibdës. Mes vorbullës së errët të thellësive të detit dhe përbindëshit kafshues nga krahu tjetër.
Blushi nuk ka lëkurën e artë të Jasonit me vete. Ai nuk ka as edhe një ushtri që te luftojë me përbindëshin, ndërkohë që ai i kalon atij poshtë. Blushi ka vetëm mendjen e tij, arsyen e fortë, sensin e mprehtë të kritikës dhe xhelozinë e shumicës që shohin tek ai pamundësinë për të qenë vetë ashtu. Blushi po vuan kështu një dilemë e cila është më shumë intelektuale sesa politike.
Dhe pikërisht për këtë mendoj se referendumi i sotëm, është një humbje për Blushin në politikë. Nga nesër Partia Socialiste e humb Blushin, por Blushi mund të fitojë veten.
Tani thjesht duhet të mendojë mirë se çfarë duhet të bëjë me të.
JAVANEWS
Diskutime rreth kësaj post