Sekretari i Çështjeve Zgjedhore në PD, Ivi Kaso thotë se marrëveshja e arritur pak ditë më parë në Këshillin Politik vendos vetëm pikat mbi ndryshimet e administrimit të procesit zgjedhor dhe nuk përbën dakordësi për të gjithë procesin e reformës zgjedhore.
Ai thotë se, ende nuk ka përfunduar gjithçka dhe se prioritet i opozitës është garantimi i procesit zgjedhor. Kaso theksoi se, krijimi i një qeveri kujdestare para zgjedhjeve mbetet në tryezën e diskutimeve.
“Në fakt nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje, por dakordësi mbi pikat kryesore për administrimin e procesit zgjedhor, votimin dhe numërimin. Ka pasur kërkesa të tjera që nuk janë adresuar me votimin dhe numërimin elektronik, që adreson shit-blerje ne votës, presionin mbi zgjedhësit dhe administratën publike. Përballë mungesës totale të propozimeve nga pala tjetër, përgjigja jonë ka qenë qeveri teknike ku të gjithë garuesit në zgjedhje ta ndienin veten të barabartë. Kjo është pikë që është në tryezën e diskutimeve në Këshillin Politik. Nuk është e vërtetë se jemi tërhequr nga kjo pikë”, tha Sekretari i Çështjeve Zgjedhore në PD.
Krijimi i një qeverie kujdestare, shtoi ai është një moment që duhet të diskutohet por nuk do të mbajë peng atë që është arritur. Ivi Kaso tha se ky propozim do të mbetet në fuqi deri në anëtarësimin e vendit në BE.
“Qeveria kujdestare nuk është një ndëshkim ndaj kësaj mazhorance dhe nuk është një avantazh për këtë opozitë, por kërkohet si një masë e përhershme deri në anëtarësimin në BE”, u shpreh përfaqësuesi i opozitës.
Lidhur me depolitizimin e administrimit të procesit zgjedhor, ku mazhoranca kërkonte depolitizim të plotë, Kaso tha se në kohën kur PS ishte në opozitë ata refuzonin dhe ta diskutonin këtë çështje.
“Vijmë nga një traditë që zgjedhjet administrohen nga komisione politike. Është një garanci nga e cila opozita nuk mund të heq dorë menjëherë pasi nga ana tjetër mazhoranca ka të gjitha pushtet dhe kontrollon të gjithë administratën publike, me të cilën synohet të depolitizohen komisionet që do të administrojnë procesin zgjedhor. Në kohën kur Gjiknuri vinte si përfaqësues i opozitës kjo çështje as është pranuar që të diskutohej kjo çështje”, tha Kaso.
Diskutime rreth kësaj post