Në samitin BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Tiranë mori pjesë edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili u shoqërua nga ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias dhe zv/ministri i Jashtëm Kosta Fragojani.
Më herët, Kryeministri Mitsotakis kishte parashikuar edhe një vizitë në zonat e minoritetit grek në jug të Shqipërisë pas samitit të Tiranës, ditën e mërkurë. Por përmes një njoftimi në Twitter të ambasadës greke bëhet me dije se vizita është shtyrë për një tjetër datë të pacaktuar.
“Për shkak se fluturimi me helikopter nuk është i mundur për shkak të kushteve atmosferike, vizita e planifikuar e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në Himarë, Livadh dhe Dervician është shtyrë dhe do të zhvillohet në një datë të mëvonshme”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Pas samitit të së martës në Tiranë, kryeministri grek Mitsotakis zhvilloi takime edhe me Kryepeshkopin Anastas Janullatos, me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
Mitsotakis është edhe kryeministri i parë grek pas gati 13 vitesh që viziton Shqipërinë. Personi i fundit që ka qenë në Tiranë ishte Kostas Karamanlis në vitin 2009, i cili mbante një marrëdhënie të ngushtë me homologun e tij të atëhershëm Sali Berisha.
Diskutime rreth kësaj post