“Çështja e Saimir Tahirit u diskutua me kryeministrin dhe ai na siguroi ne të gjithëve se do të veprojë menjëherë sapo të ketë prova të mjaftueshme nga prokuroria”. Kështu deklaroi Josip Juratovic, deputet i SPD-së, (opozitës), në Bundestagun Gjerman në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Studio e Hapur’. Deputeti, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Europian të Bundestagut. Z. Juratoviç u pyet rreth vizitës së kryeministrit Rama në Berlin. Deputeti i rëndësishëm i Partisë Social Demokrate deklaroi se Rama kishte sqaruar para zyrtarëve gjermanë edhe keqkuptimet që kishin lindur me disa media për deklaratën e Krichbaum.
“Takimet që zhvilluam me kryeministrin ishin të relaksuara dhe jo të tensionuara. Edi Rama na shpjegoi se media kishte krijuar disa keqkuptime lidhur me Krichbaum dhe se edhe ai vetë kishte qenë një viktimë. Disa media duket që kanë interesa që ta bëjnë hapjen e negociatave sa më të vështirë. Edi Rama vizitoi edhe komitetin europian të Bundestagut ku promovoi rëndësinë e hapjes së negociatave me Shqipërinë. A e tha hapur se kërkon që Shqipëria të jetë sa më parë pjesë e BE-së dhe kjo arrihet duke hapur negociatat. Në të njëjtën kohë ai e di se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet.
Studio e Hapur e pyeti Z Juratoviç nëse çështja e Saimir Tahirit kishte qenë pjesë e diskutimeve me kryeministrin dhe se çfarë u ka deklaruar kryeministri Rama në këtë Rast.
“Çështja e Saimir Tahirit u diskutua me kryeministrin dhe ai na siguroi ne të gjithëve se do të veprojë menjëherë sapo të ketë prova të mjaftueshme nga prokuroria. Sa i përket heqjes së imunitetit, ne kemi kritere të ndryshme nga Shqipëria. Megjithatë, dua ta bëj të qartë se kriteret për hapjen e negociatave nuk vendosen nga Gjermania e as nga ndonjë vend tjetër i BE-së, por nga të gjitha vendet së bashku. Gjermania apo asnjë vend tjetër i BE-së nuk do ti kërkojë kurrë një qeverie të një vendi tjetër të provojë kredibilitetin e saj duke arrestuar një zyrtar. Ajo çka është e rëndësishme është zbatimi i ligjit”, tha ai.
Në fund, z. Juratoviç u pyet se cilat janë shanset që në qershor Gjermania të votojë në favor të hapjes së negociatave: “Unë jam në favor të hapjes së negociatave. Dhe sigurisht nuk jam i vetëm në qëndrimin tim. Megjithatë, është e vështirë për të thënë se në cilin krah qëndron shumica në këtë pozicion pasi nuk ka patur asnjë votim deri tani. Unë do të vazhdoj të suportoj procesin e demokratizimit. Në fund të fundit, një refuzim i hapjes së negociatave dhe perspektiva e tyre, thjesht sa do të inkurajonte kundërshtarët e zgjerimit të Bashkimit Europian.”, përfundoi ai.
Diskutime rreth kësaj post