Parlamenti Europian kërkon nga politika shqiptare që të gjejë konsensusin për Reformën Zgjedhore. Në deklaratën e përbashkët të miratuar nga Komisioni i Asociim-Stabilizimit Shqipëri-BE, theksohet nevoja e arritjes së një konsensusi politik për miratimin e Reformës Zgjedhore.
Në një nga pikat e deklaratës, europarlamentarët e kanë lidhur këtë proces si tepër të domosdoshëm, përsa i përket edhe procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar:
“U bën thirrje të gjitha partive politike që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe të vazhdojnë me shpejtësi reformën dhe kërkon që Reforma Zgjedhore të zbatohet pa vonesë dhe në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019; kujton se miratimi i reformave është jetik për besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një element thelbësor i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”. Krahas kësaj, në deklaratën e përbashkët ngrihen shqetësimet e vërejtura në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, duke kërkuar nga ana e Komisionit që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë.
“Kërkon të arrihet konsensus dhe të miratohen reformat e nevojshme; insiston në nevojën për të zbatuar në kohë rekomandimet e OSBE/ODIHR, që janë ende të pazgjidhura, veçanërisht lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, blerjen e votave dhe votimin jashtë vendit”.
KRIMINALITETI
Krahas kësaj, në këtë deklaratë janë ngritur edhe shqetësime të tjera si zbatimi i Reformës në Drejtësi si një kusht për garantimin e një gjyqësori të pavarur. “Komiteti thekson nevojën për të parë vazhdimin e rezultateve konkrete në zbatimin e Reformës së Drejtësisë, me krijimin e strukturave të pavarura gjyqësore të parashikuara nga reforma kushtetuese, duke përfshirë krijimin e organeve të specializuara, përkatësisht Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve (NBI), si dhe Gjykata përkatëse e Specializuar”.
PIKA NGA REZOLUTA
Vëren raportin përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Shqipëri; mirëpret punën e bërë tashmë nga Komisioni Parlamentar Ad Hoc për Reformën Zgjedhore dhe kërkon të arrihet konsensus mbi të dhe të miratohen reformat e nevojshme; insiston në nevojën për të zbatuar në kohë rekomandimet e OSBE/ODIHR, që janë ende të pazgjidhura nga raundet e ndryshme të raporteve paszgjedhore, veçanërisht lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, blerjen e votave dhe votimin jashtë vendit; u bën thirrje të gjitha partive politike, që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe të vazhdojnë me shpejtësi reformën dhe kërkon që Reforma Zgjedhore të zbatohet pa vonesë dhe në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019; kujton se miratimi i reformave është jetik për besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një element thelbësor i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE;
Vlerëson përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe institucional me qëllim parandalimin dhe zhdukjen e korrupsionit në institucionet publike; kujton se duhet të bëhen më shumë përpjekje për të siguruar rezultate të tjera të prekshme dhe të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit, u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të mbajnë në fokus të fuqishëm operacional luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave; këto janë të gjitha prioritete kryesore të sundimit të ligjit, së bashku me zbatimin e plotë të Reformës së sistemit të Drejtësisë, të dëshmuar nga të dhëna të forta dhe të pakthyeshme;
Thekson, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018, nevojën për të parë vazhdimin e rezultateve konkrete në zbatimin e Reformës së Drejtësisë, me krijimin e strukturave të pavarura gjyqësore të parashikuara nga reforma kushtetuese, duke përfshirë krijimin e organeve të specializuara, përkatësisht Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve (NBI), si dhe Gjykata përkatëse e Specializuar; vëren se procesi i rivlerësimit për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët ka dhënë rezultatet e para të prekshme, por thekson gjithashtu nevojën për të avancuar më tej me verifikimin e gjyqësorit, në veçanti duke plotësuar të gjitha dosjet prioritare; në të njëjtën kohë, thekson rëndësinë e trajnimit për gjyqtarët dhe prokurorët publikë dhe bën thirrje për rritjen e kapaciteteve dhe ekselencës së Shkollës së Magjistraturës; kujton që forcimi i mëtejshëm i procesverbaleve të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe atë në nivel të lartë, duhet të mbetet një objektiv vendimtar për Shqipërinë.
Diskutime rreth kësaj post